Sekretarët në PD, Xhaferri në vend të Ngjelës
Ferdinand Xhaferri emërohet sekretar për marrëdhëniet me publikun në Partinë Demokratike. Kryesia e vogël e PD-së e mbledhur dje në mesditë ka përcaktuar përfundimisht dy kandidaturat që do të garojnë për pasardhës të Armand Telitit në qytetin e Durrësit. Në këtë mënyrë u vendos që dy kandidatët që do të dalin në garë janë deputeti aktual i PD-së, Genc Juka si dhe një prej prurjeve të reja, Igli Cara. Këtë e bëri të ditur dje sekretari organizativ në PD, Flamur Noka, sipas të cilit zgjedhjet për degën e dytë më të madhe të kësaj partie do të zhvillohen këtë fundjavë. Nga ana tjetër, kandidati i tretë i propozuar nga baza për të kryesuar PD-në e Durrësit, Ferdinand Xhaferri, me vendim të kryesisë do të marrë postin e sekretarit për marrëdhëniet me publikun. Me afrimin e zgjedhjeve dhe rigjallërimin e jetës së partisë, ky post pritet të rimarrë rolin që ka pasur më parë dhe së bashku me zëdhënësin e PD-së, do të mbajnë peshën e komunikimit me publikun dhe mediat deri në hapje të fushatës zgjedhore. Më parë postin e sekretarit të marrëdhënieve me publikun e mbante Spartak Ngjela, i cili me vendim të kryesisë së PD-së u ngri, pasi u akuzua nga kryeministri Berisha se nxori në media një debat mes tij dhe kreut të qeverisë në zyrën e kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli. Me marrjen e këtij posti, Xhaferri bëhet automatikisht edhe anëtar i kryesisë së PD-së, por pa të drejtë vote. Dy ditë më parë kryesia e vogël e PD-së përcaktoi edhe emrat e kandidatëve në Vlorë dhe Elbasan. Kështu në garë për PD-në e Vlorës do të jenë deputeti Ardian Kollozi dhe Gent Hamzaraj, ndërsa në Elbasan vendin e Bylykbashit e pretendojnë Luçiano Boçi, Shefqet Deliallisi dhe Ali Turhani.