Meta: Të larguarit nga administrata, do rikthehen
Kryetari i LSI-së zhvilloi dje një takim me qytetarë të papunë, të shkarkuar për motive politike nga administrata civile. Duke e vlerësuar administratën publike si një aset kombëtar, Meta premtoi se të gjithë të larguarit nga puna padrejtësisht do të rikthehen. “Dua të siguroj se të gjithë ata që kanë humbur në mënyrë të padrejtë, jo vetëm për arsye politike, vendet e punës, të cilët kanë fituar përsëri vendet e punës përmes ankimimeve të tyre dhe nuk janë zbatuar vendimet as të Komisionit të Shërbimit Civil dhe as të gjykatave, do t’i rifitojnë ato, sepse ne do të respektojmë ligjin”, tha Meta. Gjithashtu kryetari i LSI-së tha se do të ketë më shumë vëmendje për ata që punojnë në administratën publike. “Për nëpunësit e administratës publike ne premtojmë garanci për të realizuar disa nga kërkesat jetike që do t’i motivojnë ata të punojnë në administratë publike, sikurse do të jetë kreditimi në interesa shumë të favorshëm, për problemin e strehimit. Është momenti që ne t’i kthejmë sytë nga administrata publike, se ajo është një aset shumë i rëndësishëm kombëtar”, tha Meta.