E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhduket tregtari i rremë, mashtroi tre milionë euro

 

Fatos Mahmutaj

Mashtroi në tre milionë euro, gjykata vendos kontrollin e zyrave të biznesmenit Indrit Aliu. Në vendimin që ka firmosur dje gjykata është shprehur se pranon kërkesën e prokurorisë për të lejuar kontrollin në zyrën e biznesmenit të rremë, që për pak muaj kishte arritur të “peshkonte” të paktën krerët e tre firmave të ndërtimit, duke u premtuar tenderë nëpër zona të ndryshme të vendit. Siç rezulton nga verifikimi në sistemin TIMS, prej dy javësh biznesmeni është larguar jashtë vendit, ndërsa viktimat e tij i janë drejtuar policisë dhe prokurorisë, si të vetmet institucione që mund ta gjejnë për të rimarrë shumat që i kanë paguar “cash” biznesmenit në kërkim, i cili ka vepruar kryesisht në Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera. Më poshtë paraqiten episodet e mashtrimit, siç rezultojnë nga hetimet e deritanishme të prokurorisë:
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë në datën 19.03.2009 ka regjistruar procedimin penal nr. 1072, për veprën penale të “mashtrimit”, me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal, mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Bujar Nikolla, drejtues teknik i firmës “D & B Alb Union” sh.p.k për faktin e mashtrimit në shuma të mëdha nga ana e shtetasit Indrit Aliu, administrator i firmës “Dejs & Partners Consulting”, në lidhje me një kontratë sipërmarrjeje të nënshkruar midis tyre.
Nga aktet e administruara rezulton se në datën 21.01.2009 midis shoqërisë “D & B Alb Union” sh.p.k me administrator shtetasin Bashkim Nikolla dhe shtetasin grek Dimitrios Kontogiannis dhe shoqërisë “Dejs & Partners Consulting” sh.p.k me administrator shtetasin Indrit Aliu është lidhur kontrata e sipërmarrjes nr. 214/1 protokolli, datë 21.01.2009, sipas së cilës pala investitore “Dejs & Partners Consulting” sh.p.k ka porositur realizimin nga ana e palës sipërmarrëse, shoqëria “D & B Alb Union” sh.p.k, të kryejë rikonstruksionin dhe rehabilitimin e rrugës Sinanaj-diga e hidrocentralit Kalivaç, komuna Lopës, qarku Gjirokastër, me vlerë të kontratës 7.000.000 (shtatë milionë) euro. Para se të lidhej kontrata, administratorët e firmës “D & B Alb Union” sh.p.k dhe shtetasi Indrit Aliu janë takuar në zyrën e këtij të fundit në rrugën “Muhamet Gjollesha”, pallati “Vëllezërit Kajtazi”, kati II, ku u ra dakord që firma “D & B Alb Union” të paraqiste dokumentacionin dhe ofertën për ndërtimin e rrugës Sinanaj–hidrocentrali Kalivaç. Pasi shtetasit Bujar Nikolla, Bashkim Nikolla dhe shtetasi grek kanë parë objektin në vend, në fshatin Sinanaj, në datën 18.01.2009, në zyrat e firmës “Dejs & Partners Consulting”, drejtorit ekzekutiv të kësaj firme shtetasit Sulejman Abazi i është dorëzuar dokumentacioni nga ana e firmës “D & B Alb Union”. Në datën 20.01.2009 nga shoqëria “Dejs & Partners Consulting” i është dërguar njoftimi firmës “D & B Alb Union” si fituese e tenderit për ndërtimin e kësaj rruge dhe në datën 21.10.2009 është lidhur kontrata e sipërmarrjes. Jashtë kësaj kontrate nga ana e shtetasit Indrit Aliu është kërkuar sigurimi i kontratës në vlerën 3% të saj, pra në shumën 210.000 euro. Kjo pagesë i është bërë nga firma “D & B Alb Union” në cash shtetasit Indrit Aliu, i cili për këtë fakt ka lëshuar një mandat pagese me nr. 59, datë 22.01.2009.
Në datën 23.01.2009, firma “D & B Alb Union” ka filluar punën për rikonstruksionin e rrugës, punime të cilat janë ndërprerë në datën 13.03.2009 për mungesë të financimit. Deri në këtë datë rruga është hapur si trase me gjatësi 4.5 km dhe gjerësi 8 m dhe e gjithë kjo distancë është shtruar me çakëll. Në lidhje me këto punime nga firma ndërtuese, që në datën 24.02.2009 ishte paraqitur situacioni përkatës për likuidim në shumën 1.4 milionë euro, por meqenëse nga shtetasi Indrit Aliu nuk u bë asnjë likuidim, firma është detyruar të ndërpresë punimet.
Sipas deklaruesve Bujar Nikolla dhe Dimitrios Kontogiannis, shtetasi Indrit Aliu për këtë kontratë u ka kërkuar në total shumën e 500.000 eurove. Rreth muajit shkurt 2009, Bashkim Nikolla ka marrë në telefon shtetasin Indrit Aliu për t’i thënë se kishte siguruar një sasi eurosh dhe më pas Bashkimi ka ikur me shoferin e Indritit për t’i dhënë këto lekë. Në datën 05.03.2009, shtetasi Bujar Nikolla ka tërhequr 3000 euro nga “Western Union”, të cilat ia ka dhënë Indritit, si dhe projektin origjinal të rrugës. Po kështu në datën 06.03.2009, Indriti i ka kërkuar 10.000 euro Bashkimit si kusht për likuidimin e situacionit dhe më pas ka nxjerrë si pretendim se i duheshin për të operuar babanë e tij në Turqi. Për t’i dhënë këto lekë, shtetasi grek ka dërguar 6000 euro me “Western Union”, të cilat i ka tërhequr Bujari dhe 4000 euro i ka marrë shtetasi Bujar Nikolla në shtëpinë e tij dhe më pas ia ka dhënë shumën prej 10.000 euro shtetasit Indrit Aliu në zyrën e tij. Në datën 12.03.2009, ndërsa ndodheshin tek lokal “Tajvani”, dikush ka folur me telefonin e Indritit me shtetasin Bashkim Nikolla, duke u prezantuar si drejtori i Bankës Kombëtare Tregtare. Ky person i ka thënë Bashkimit se të nesërmen duhet të paraqiteshin pranë BKT për të bërë likuidimin e situacionit, pasi ishin zhbllokuar fondet e Indritit. Të nesërmen në datën 13.03.2009 së bashku me Indritin kanë shkuar te BKT për të tërhequr lekët dhe nga verifikimi që i bëri llogarisë bankare të Indritit punonjësja e bankës, rezultoi se ai kishte në llogari vetëm 17.000 lekë. Po kështu në llogarinë e firmës “D & B Alb Union” nuk kishte kaluar asnjë lek, duke u bindur se ky shtetas i kishte mashtruar duke i marrë 323.000 euro. Duke u ndodhur para këtij fakti, Bashkimi i ka kërkuar Indritit që të bënte një deklarate noteriale dhe për këtë kanë shkuar te notere Gentiana Brati. Aty shtetasi Indrit Aliu ka filluar të qajë duke kërkuar që shtetasi Bashkim Nikolla të mos e denonconte në polici dhe në këto kushte nuk është hartuar ndonjë deklaratë noteriale.
Gjithashtu në një rast, shtetasi Indrit Aliu i ka detyruar se brenda ditës i duhej një shumë prej 50.000 euro se kishte një problem shumë urgjent dhe, për t’i dhënë këto lekë përfaqësuesit të firmës “D & B Alb Union” kanë nxjerrë një kredi prej 50.000 euro nga banka Alfa, shumë të cilën ia kanë çuar në zyrë shtetasit Indrit Aliu. Pavarësisht justifikimeve të ndryshme që Indriti nxirrte për kërkimin e lekëve, nëse nuk jepeshin lekët ai bënte presion me prishjen e kontratës.
Pas fillimit të procedimit penal, ndaj shtetasit Indrit Aliu kanë bërë kallëzim shtetasit Artan Mirdita dhe Alban Bitraj. Nga kallëzimi i shtetasit Artan Mirdita, menaxher i shitjeve të makinave të reja pranë kompanisë “Classic Volkswagen”, rezulton se nga fundi i muajit janar është paraqitur në sallonin e makinave të reja shtetasi Indrit Aliu si drejtor i firmës “Dejs & Partners Consulting” për të parë disa mjete, të cilat sipas tij i duheshin për nevojat e shoqërisë. Shtetasi Indrit Aliu pasi ka parë makinat është shprehur se do të vinte një ditë tjetër për të konkluduar lidhur me mjetet. Në datën 02.02.2009 ky shtetas është paraqitur në zyrat e “Classic Volkswagen” me qëllim blerjen e tre mjeteve të reja: Passat Ç, Touran dhe Golf. Pasi u hartua kontrata e blerjes, ku vlera për secilin mjet ishte: Për mjetin “Passat” 33.000 euro, për mjetin “Touran” 21.000 euro dhe për mjetin “Golf” 16.500 euro, sipas kontratës për të tre mjetet do të bëhej parapagim gjysma e vlerës dhe pjesa tjetër do të paguhej me dy këste, ku e gjithë kontrata do të realizohej brenda 6 muajve. Pas nënshkrimit të kontratës, shtetasi Indrit Aliu është larguar dhe pagesa do të bëhej nëpërmjet bankës.
Pas disa ditësh shtetasi Indrit Aliu është paraqitur tek “Classic Volkswagen” dhe pasi kishte biseduar me drejtuesit e kompanisë u ra dakord që t’i jepej mjeti “Passat Ç” me targa TR 9756 R, i regjistruar në emër të kompanisë “Classic Volkswagen” me marrëveshjen për të bërë pagesën brenda 10 ditësh. Pasi mori mjetin shtetasi Indrit Aliu u largua duke e lënë kompaninë në pritje të shlyerjes së detyrimit. Që nga data e marrjes së mjetit nga shtetasi Indrit Aliu e deri në datën e kallëzimit, nuk është bërë asnjë likuidim i shumës lidhur me mjetet. Gjithashtu ky shtetas kishte marrë me qira disa mjete pranë kompanisë “Classic Volkswagen”, një “Touareg” dhe 3 “Polo Sedan”, për të cilat nga muaji shkurt e më pas nuk ka bërë pagesë për to. Shtetasi Artan Mirdita ka komunikuar disa herë në telefon me shtetasin Indrit Aliu për likuidimin e parave dhe në telefonatën e fundit në datën 12.03.2009 ai i kishte thënë se ishte kryer pagesa dhe do të dërgonte me faks dokumentin e kalimit të parave në llogarinë bankare të “Classic Volkswagen”, por që nga kjo ditë Indriti ka mbyllur të dy telefonat dhe paratë nuk kanë kaluar në llogarinë e firmës “Volkswagen”.
Po kështu ndaj shtetasit Indrit Aliu ka paraqitur kallëzim shtetasi Alban Bitraj, administrator i shoqërisë “Bitraj 98” sh.p.k. me aktivitet ndërtim dhe rikonstruksion i objekteve. Sipas këtij kallëzimi rezulton se në muajin shtator–tetor 2008 është takuar në Tiranë me kryetarin e komunës Bulgarec, Korçë, i cili i ka propozuar kryerjen e disa punimeve me anë të një fondacioni dhe meqenëse bëhej fjalë për punime ndërtimi, shtetasi Alban Bitraj nëpërmjet kryetarit të komunës Bulgarec është takuar me shtetasin Indrit Aliu. Indriti është prezantuar si drejtor i fondacionit “Dejs & Partners Consulting” dhe i ka ofruar nënshkrimin e një kontrate, që për çdo punim që do të kryhej nga firma e kallëzuesit me investimet e fondacionit, firma nuk do të paguante 3% sigurim kontrate. Pas bisedave me shtetasin Alban Bitraj dhe nënshkrimit të kontratës, ky i fundit ka marrë përsipër ndërtimin e rrugës së fshatit Dishnicë me vlerë 70.000.000 lekë. Për këtë shtetasi Alban Bitraj i ka paguar shtetasit Indrit Aliu 3% të vlerës së kontratës, pra shumën 2.500.000 lekë. Pagesa është bërë në “cash” dhe Indriti i ka lëshuar një mandat arkëtimi, duke vërtetuar dhënien e lekëve dhe e ka vulosur me vulën e fondacionit.
Të nesërmen shtetasi Alban Bitraj është takuar në zyrën e tij me shtetasin Indrit Aliu dhe kryetarin e Bashkisë Librazhd, ku u bisedua për rikonstruksionin e Bashkisë Librazhd. Indriti reagoi se ishte gati për këtë projekt si dhe ofroi për të bërë dhe 3 rrugë të tjera në Librazhd, ku totali i të gjithë këtyre investimeve shkonte në vlerën një milion euro. Po këtë ditë Indriti ka përpiluar kontratën dhe të nesërmen shtetasi Alban Bitraj ka bërë pagesën 3% për sigurimin e kontratës, por ka paguar dhe 10%, të cilat i merrte në formë bakshishi Indriti. Të gjitha lekët janë paguar në “cash”, ku për 3% të shumës, pra 37.000 euro, Indriti ka lëshuar një mandat pagese, ndërsa për vlerën 6.000.000 lekë të dhëna Indritit si 10%, kallëzuesi nuk disponon ndonjë dokument. Po ato ditë Indriti i ka ofruar Albanit dhe një tender rruge në komunën Lopës në Tepelenë, e cila ishte me vlerë 7 milionë euro. Për këtë ofertë Indriti i ka kërkuar 90.000 euro si paradhënie, ndërsa Albani i ka dhënë 88.000 euro, pagesë për të cilën kallëzuesi nuk disponon ndonjë dokument. Për këtë objekt shtetasi Alban Bitraj ka bërë dhe kontratë me shtetasin Indrit Aliu. Duke qenë se puna në fshatin Dishnicë nuk po ecte si duhej, pasi Indriti nuk po tregohej korrekt me pagesat sipas kontratës, Alban Bitraj është tërhequr nga objekti i Tepelenës. Në këtë mënyrë kallëzuesi i ka kërkuar Indritit t’i kthente lekët e paguara për kontratën e Tepelenës, por ai është shmangur dhe nuk ia ka kthyer më ato lekë.
Meqenëse shtetasi Indrit Aliu nuk kishte bërë asnjë pagesë, shtetasi Alban Bitraj ka ndërprerë punimet në Librazhd dhe në Dishnicë, punime të cilat kanë kushtuar rreth 50.000 euro. Për herë të fundit me Indritin, kallëzuesi ka kontaktuar me telefon në datën 13.03.2009, ku Indriti i ka kërkuar 200.000 lekë pa ndonjë arsye. Që nga ajo kohë ky shtetas e ka fikur telefonin. Siç rezulton edhe nga këqyrja e bërë sistemit TIMS mbi hyrje-daljet e shtetasit Indrit Aliu, ky shtetas është larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë që më datë 16.03.2009.
Nga sa më sipër rezulton se shtetasi Indrit Aliu dyshohet të ketë kryer veprën penale të “mashtrimit, me pasoja të rënda”, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal, vepër penale e cila rezulton të jetë kryer nëpërmjet hartimit të kontratave me shoqëri të ndryshme sipërmarrëse për kryerjen e punimeve të ndryshme ndërtimore, duke marrë pagesa nga këto shoqëri në formën e sigurimit të kontratës dhe duke mos i likuiduar ato më pas edhe për punimet e kryera. Veprimet e kryera nëpërmjet gënjeshtrës në format e mësipërme ndaj shtetasve kallëzues, janë kryer nga shtetasi Indrit Aliu me qëllim të përfitimit material, siç rezulton nga faktet e dhëna prej tyre, por edhe nga fakti se ky shtetas pasi ka marrë shumat e mësipërme është larguar duke mos i kthyer më.

Prokuroria: Hetim pronave të Aliut

Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, e cila është duke hetuar Indrit Aliun po heton për prona dhe pasuri në emër të ti, në mënyrë që nëse i kërkuari nuk gjendet dhe nuk përgjigjet për detyrimet financiare, përmes procesit gjyqësor të realizohet kthimi i shumave tek personat e dëmtuar. Adresat e një sërë objektesh dhe zyrat të bizneseve të të dyshuarit rezultojnë të rreme, ndërsa menjëherë sapo të zbulohen, pronat e tij do të vendosen në sekuestro.

E kërkojnë 6 borxhlinjtë, merret në mbrojtje familja

Trazhgim Sokolaj

Gjashtë denoncime ndaj tij në policinë e Tiranës dhe nga ana tjetër një mal me para të fituara siç duket padrejtësisht, janë konsideruar nga policia si një rrezik serioz për familjen e biznesmenit Indrit Aliu. Burime zyrtare të policisë pohuan se përkohësisht kishin marrë disa masa mbrojtje ndaj babait të biznesmenit, pasi policia mori ankesat e gjashtë sipërmarrësve që akuzonin për vjedhje Indrit Aliun, nga Vlora, banues në Tiranë. Frika se të afërmit e tij mund të binin pre e sulmeve apo veprimeve shtrënguese që “viktimat” e Ilir Aliut mund të bënin për kthimin e parave, ka vënë në lëvizje policinë. E cila është dashur të veprojë në dy drejtime për një rast të vetëm: të hetojë “bëmat” e biznesmenit të pasuruar brenda një kohe të shkurtër, por edhe të marrë masa për shmangien e ngjarjeve të padëshiruara me të afërmit e tij. Pas largimit të Indrit Aliut, të afërmit e tij kanë mbetur në Shqipëri, ndërsa policia ka organizuar shërbimet e saj për të shmangur ndonjë ngjarje të papritur.
Stari i biznesit
Me një komunikim të kujdesshëm, duke shfaqur një interes të sëmurë për të vepruar gjithnjë me dokumente, por edhe me dy kompani biznesi të regjistruara në emër të tij, Indrit Aliu ka filluar veprimtarinë e tij. Një aktivitet, i cili filloi me synime të mëdha në përmbajtje e që në formë kishte pamjen e sipërmarrjeve premtuese. Biznesmeni ndërkaq rezulton i pranishëm edhe në veprimtari të dhurimit të pajisjeve dhe mbështetjes për OJF të ndryshme që veprojnë në Tiranë e rrethe. CV-ja e bardhë e historisë së biznesit që Indrit Aliu prezantonte në kontaktet me sipërmarrësit e mëdhenj, njerëz të së njëjtës kategori ku pretendonte të ishte edhe vetë ai, u shtua më pas edhe me një web-faqe në internet, të cilës biznesmeni i kishte vënë emrin e kompanisë të tij më të madhe “Dejs”. Përmbajtja e faqes në internet e prezanton këtë subjekt si një kompani me aktivitet në fushën e mallrave farmaceutike që ofron produkte të shumta. Historia e biznesit, megjithatë daton më parë sesa viti 2008, kur Indrit Aliu dyshohet se ka përfituar 3 milionë euro me anë të trukeve të mashtrimit. Më 25 janar 2005 në emër të tij është regjistruar një kompani me qendër në fshatin Vadar, zonë e Sukthit në Durrës. Gjykata e këtij qyteti e kishte sanksionuar si person juridik që në vitin 2001.
Bizneset
Emri tregtar i kompanisë me NIPT K51516504N ishte identiteti i vetë biznesmenit, Indrit Aliu. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve, kjo kompani është ende në veprim. Kompania e dytë, ajo më e madhja, është regjistruar ndërkohë më 24 shtator 2008 me emrin “DEJS & PARTNERS CONSULTING”, me numër NIPT K82124018J dhe me seli në kryeqytet, “Rruga Labinoti”, Pallati 37, hyrja 4, kati i parë. Forma ligjore e kësaj kompanie është “me përgjegjësi të kufizuar”, ndërsa fusha e veprimtarisë së saj është “konsulenca juridike dhe fiskale për individët edhe për shoqëritë tregtare”, ndërmjetësime për transaksione financiare brenda dhe jashtë vendit, si dhe të gjitha aktivitetet që lidhen me fushën e ndërtimit si: gërmime dheu, ndërtime civile dhe ekonomike, ndërtime rrugësh, urash etj. Shkëmbim, blerje, dhënie me qira, menaxhim, administrim i pasurive të paluajtshme për vete dhe për të tretët. Numri i kontaktit të kompanisë nuk ekziston, ndërsa ortak i vetëm është Indrit Aliu me kapital fillestar 10 milionë lekë të reja, ndërsa subjekti është ende në veprim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›