LSI nënshkruan marrëveshje me sindikatën e pensionistëve
Ish-kryeministri Ilir Meta nënshkroi dje Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Sindikatën e Pensionistëve të Shqipërisë. Kryetari Isa Gorica hodhi firmën mbi dokumentin, duke dhënë edhe vlerësimet e rastit. Meta deklaroi se kjo marrëveshje synon si prioritet programor, jo vetëm deri në 28 qershor, ditën e zgjedhjeve por, ajo çfarë është më e rëndësishmja, pas kësaj dite në qeverisjen e ardhshme të vendit, miratimin e menjëhershëm të projektligjit "Për kujdesin ndaj moshës së tretë". Sipas tij, projektligji është një detyrim jo vetëm moral, jo vetëm njerëzor, jo vetëm politik dhe kushtetues ndaj pensionistëve dhe moshës së tretë, por edhe një detyrim ndërkombëtar në kuadër të integrimit, pasi Shqipëria ka nënshkruar Konventën e Madridit. "Ky është një sistem tepër i deformuar dhe i arnuar herë pas here dhe duhet të jetë një sistem sa më i drejtë nga pikëpamja sociale dhe ne do të synojmë të përjashtojmë diskriminimet që përmbahen sot në sistemin aktual", premtoi Meta. Sakaq, Isa Gorica vlerësoi se grupimi politik që përfaqëson zoti Meta është një grupim politik që ka vizion, por ka dhe veprim. Sepse, nënvizoi Gorica, largimi nga vizioni çon në gabime, ndërsa vetëm vizioni pa veprim kthehet në ëndërr. "Optimalja është vizioni dhe veprimi. Duket se këtu është një arritje e rëndësishme e Lëvizjes Socialiste për Integrim", u shpreh Gorica.