E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI nis përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale

10/06/2010 Kryesia vendos zgjedhje të brendshme për strukturat e Tiranës

Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur ditën e djeshme përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor. LSI-ja do të nisë së pari punën nga këndvështrimi organizativ i saj. Kryesia e përgjithshme e kësaj force politike ka vendosur ristrukturimin, i cili do të nisë pikërisht nga kryeqyteti, që mban peshën më të madhe politike. Gjatë kësaj mbledhjeje nuk është marrë ndonjë vendim mbi bashkëpunimin që kjo parti do të ketë me forca të tjera politike, por në marrëveshjen e nënshkruar me Partinë Demokratike për bashkëqeverisjen e vendit është vendosur që këto dy parti të bashkëpunojnë në zgjedhjet e vitit 2011 për pushtetin vendor. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar pas mbledhjes së kryesisë se më datën 20 shtator do të jetë gati lista e kandidatëve për strukturat e reja partiake të Tiranës. Ndërkohë votimi, i cili do të zhvillohet duke aplikuar parimin “një anëtar, një votë”, do të zhvillohet më datën 26 të këtij muaji. “Qëllimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim është shumëfishimi i votave në kryeqytet”, - ka deklaruar Meta. Gjatë kësaj mbledhjeje është vlerësuar se zgjedhjet lokale, që pritet të zhvillohen pranverën e vitit të ardhshëm, kanë një rëndësi të veçantë. Duke nënvizuar këtë arsyetim, Meta ka thënë se gjatë mbledhjes është bërë një diskutim i gjerë në lidhje me problemet me të cilat përballen qytetarët e Tiranës. Ai ka përmendur problemin e trafikut në qytet. Sipas burimeve, kryesia e LSI-së ka vendosur që të thellohet angazhimi i anëtarëve dhe lidershipit të kësaj partie për zgjidhjen e problemeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›