E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, program për varfërinë

Tiranë - LSI do të ketë program konkret për luftën kundër varfërisë dhe monopoleve, të cilat janë arsye kryesore që thellojnë varfërinë dhe ndarjen kryesore në shoqërinë tonë. Kështu ka deklaruar Kryetari i LSI-së Ilir Meta gjatë një takimi me forumet drejtuese të Lëvizjes së Gruas për Integrim (LGI). “Në gjithë programin tonë të luftës kundër varfërisë, pra atë që kemi zhvilluar deri tani garantimi i një "bonusi jetik" për familjet që jetojnë nën pragun e minimumit jetik, një prioritet të veçantë do të ketë mbështetja për gratë dhe në mënyrë të veçantë në raport me familjarët. Sepse nuk ka gjë më të rëndë në një shoqëri, dhe nuk ka gjë më të rëndë për një nënë e cila nuk është e sigurt edhe për ushqimin e fëmijës së saj, për mbarëvajtjen e fëmijës në shkollë për të ndjekur edhe një shkollë publike”, tha ai.

Sipas kryetarit të LSI-së, është një përgjegjësi dhe është një detyrë e shoqërisë sonë që t'i japë fund anktheve të tilla që përjetojnë dhjetëra e qindra mijëra nëna sot në Shqipëri, të cilat vërtetë nuk i zë gjumi për atë që nuk e dinë çfarë do bëjnë të nesërmen për fëmijët e tyre, që nga ushqimi deri tek blerja e librave për në shkollë e deri tek punësimi.

“Sesa drama ndodhin, përjetojmë dhe dëgjojmë anembanë Shqipërisë, sepse varfëria është thika që po i shkon në palcë çdo ditë dhe më shumë të paktën 1 milionë shqiptarëve.Në këtë drejtim ne jemi të angazhuar që të garantojmë një përfaqësim shumë domëthënës të grave dhe vajzave, jo vetëm në forumet e LSI-së, por edhe në parlamentin dhe në qeverisjen e ardhshme. Por, pa asnjë diskutim nuk mund të ketë një ndryshim të pozitës së gruas, të nënës shqiptare, dhe të vajzës shqiptare, pa një luftë të programuar kundër varfërisë, pa një luftë kundër monopoleve, të cilat janë arsye kryesore që thellojnë varfërinë dhe ndarjen kryesore në shoqërinë tonë”, vijoi Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›