E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët, komisioni me dy qëndrime

07/02/2009  Anëtari i Komisioni të Jashtëm, Islami kërkon analizë, reagon kryetari Zogaj

“Katër emrat e propozuar janë diplomatë karriere”

Anëtarët e Komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme deklarojnë vlerësime të ndryshme lidhur me respektimin ose jo nga qeveria lidhur me emërimet për përfaqësuesit diplomatikë të vendit tonë nëpër botë. Deputeti i Partisë Socialiste në këtë komision Kastriot Islami ka akuzuar qeverinë për shkelje të ligjit për shërbimin e jashtëm, duke deklaruar se qeveria ka bërë vetëm emërime militantësh, duke cenuar në këtë mënyrë imazhin e Shqipërisë në vendet ku janë dërguar të propozuarit. Ligji për shërbimin e jashtëm përcakton se jo më shumë se 20 për qind e përfaqësuesve diplomatikë duhet të jetë emërime politike. “Vetëm 3 muaj para përfundimit të mandatit shihet qartë se ligji i shërbimit me jashtë është thyer disa herë, gjë që e kemi bërë prezente në të gjitha rastet e emërimeve të ambasadorëve, por dhe të emërimeve të shërbimeve me jashtë, që do të thotë se në shumë raste është thyer kriteri i emërimit jashtë karrierës, pra emërime politike të ambasadorëve. Po kështu në shumë nga ambasadat, por dhe në shërbimin me jashtë në Ministrinë e Jashtme ka mjaft militantë, që janë rekrutuar jo mbi bazën e kërkesave të shërbimit me jashtë”, - theksoi gjatë një konference për shtyp Islami. Po deklarata e tij është kundërshtuar nga kryetari i komisionit, deputeti i Parisë Demokratike Preç Zogaj. Në një prononcim për “Metropol” ai ka rrëzuar deklarimet e kolegut të tij deputet dhe ka nënvizuar se propozimet për përfaqësuesit diplomatikë nuk e kanë kaluar kufirin e pacaktuar ligjor. “Ne e kemi diskutuar disa herë këtë çështje në Komisionin për Politikën e Jashtme. Madje, kemi bërë edhe llogaritë dhe kemi vërejtur se jemi në kufijtë e ligjit. Prandaj nuk shoh se ka arsye për ta ringritur këtë çështje si problem”, - deklaroi Zogaj. Për të konfirmuar këtë, ai mori si shembull karrierën diplomatike të katër kandidatëve që komisioni do të marrë në shqyrtim javën e ardhshme. “Në komisionin tonë do të vijnë për seancë dëgjimore edhe katër kandidatë për ambasadorë, që janë realisht diplomatë karriere. Kështu, Shpëtim Caushi është propozuar për ambasador në Serbi, Sokol Gjoka për në Rusi, Valter Ibrahimi është propozuar ambasador në Gjermani dhe Edmond Trako, edhe ky një diplomatë karriere, i propozuar për ambasador në Portugali. Madje, mes tyre ka propozime edhe nga deputetët e opozitës në emër të promovimit të diplomatëve të rinj”, - vijoi ai.

Vakumi në një numër të madh ambasadash ka qenë një tjetër shqetësim i ish-ministrit të Jashtëm Islami. Për këtë ai ka kërkuar nga qeveria bërjen e një analize për stabilizimin e situatës, kjo në konsultim edhe më Presidentin e Republikës. “Ne kërkojmë një analizë të plotë nga ekzekutivi, nga Ministria e Brendshme dhe natyrisht Kryeministri, që është përgjegjësi kryesor për emërimin e ambasadorëve dhe një program të plotë, integral, që do korrigjonte pikërisht këtë situatë. Dhe kjo duhej bërë në konsultim me Presidentin e Republikës, në mënyrë që të mos kishim një përplasje dhe bllokim të situatës”, - kërkoi deputeti i PS-së.

Kastriot Islami

I kërkoj Presidentit që të kërkojë një analizë të plotë të situatës në shërbimin e jashtëm jo vetëm për ambasadorë por për të gjithë shërbimin me jashtë, qoftë në Ministrinë e Jashtme apo atë jashtë vendit, një analizë ku të evidentohen të gjitha shkeljet e shërbimit me jashtë dhe një program që e përmirëson këtë gjendje. Nëse kjo Qeveri e ka të pamundur për ta realizuar një gjë të tillë, ne do jepnim kontributin tonë në përmirësim të këtij shërbimi.

Preç Zogaj

Ka pasur një shqetësim për sa i takon emërimeve politike në fushën e shërbimit të jashtëm, por me kalimin e kohës vihet re një prirje e qartë për të propozuar diplomatë karriere. Mbi të gjitha ne e kemi diskutuar disa herë këtë çështje në Komisionin për Politikën e Jashtme, ku të gjithë anëtarët së bashku me opozitën kemi bërë edhe llogaritë dhe kemi vërejtur se jemi në kufijtë e ligjit. Prandaj nuk shoh se ka arsye për ta ringritur këtë çështje si problem.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›