E Diel, 1 Nëntor 2026

Jepet siguri për zgjedhje parlamentare të lira e të ndershme

07/02/2009  Kryeministri Berisha takim me Sekretaren e Shtetit Hilari Klinton

UASHINGTON - Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, në zyrën e saj në Departamentin e Shtetit. Kreu i Qeverisë shqiptare ka garantuar Sekretaren Klinton dhe përmes saj Qeverinë amerikane për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të lira, të ndershme dhe brenda të gjitha standardeve ndërkombëtare. Po ashtu, gjatë bisedës shefi i ekzekutivit shqiptar ka nënvizuar se ligji i ri për hapjen e dosjeve, njohur ndryshe si ligji i lustracionit, nuk do të përdoret për qëllime politike. “Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë demokratike”, ka deklaruar Kryeministri Berisha. “Ndërsa për sa i përket ligjit të lustracionit, mund të them se ai nuk do të përdoret kundër kundërshtarëve politikë”, është shprehur Kryeministri Berisha. Gjatë këtij takimi u diskutuan tema të rëndësishme të proceseve integruese të Shqipërisë dhe çështje të tjera të rëndësishme të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe çështja e të burgosurve në Guatanamo, pasi Shqipëria është i vetmi vend në botë deri tani që ka pranuar të strehojë gjashtë prej tyre. Ky takim ishte i pari i Administratës së Presidentit të 44-të Barak Obama, që Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton, bën me Kryeministrin e një shteti.

Gjatë ditës së djeshme Berisha është takuar edhe me zv/ndihmës Sekretarin e Shtetit Stjuart Xhons, me të cilin ka dalë edhe në një konferencë për shtyp. Xhons deklaroi pas takimit se Sekretarja Klinton e pyeti Kryeministrin Berisha për ligjin e lustracionit. “Ai siguroi se me këtë ligj nuk do të ketë gjueti shtrigash, por i gjithë procesi do të jetë kushtetues. Ne nuk bëmë sugjerime, por Kryeministri na dha siguri”, deklaroi Xhons. Nga ana e tij Kryeministri Berisha bëri me dije se në takim u bisedua edhe për situatën në Afganistan ku ai vetë kishte shprehur gatishmërinë që vendi ynë të kontribuojë me një tjetër kompani, duke e çuar në 350 numrin e shqiptarëve në këtë mision. I pyetur nga gazetaret, nëse Shqipëria do të strehojë ish-të burgosurit e Guantanamos, pas mbylljes së tij me urdhër të Presidentit Obama, Berisha nuk u përgjigj drejtpërdrejt. “Ne kemi qenë për mbylljen e burgut. Përshëndesim Presidentin Obama për mbylljen në afatin e duhur. Absolutisht jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe kjo mbyllje është shumë e mirë”, u përgjigj Berisha.

Takimet

Kryeministri Berisha ka pasur një takim të veçantë me Zv/presidentin amerikan Xho Baiden, të cilin e konsideroi një mik të Shqipërisë. Gjatë takimit Baiden tha se administrata e re amerikane do të mbështesë plotësisht Shqipërinë në përpjekjet e saj për ndërtimin dhe forcimin e një shoqërie demokratike dhe në rrugën e reformave integruese. Ai pranoi ftesën e bërë nga Berisha për të vizituar vendin tonë. Kreu i Qeverisë ka takuar edhe Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Zv/presidentit Baiden. Po ashtu Berisha ka shtruar një darkë për nder të personaliteteve të politikës amerikane, ku i ftuar nderi ishte Senatori Riçard Lugar, një nga mbrojtësit më të mëdhenj të proceseve integruese të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare në tërësi. Po ashtu Berisha takoi edhe Gjeneralin Uesli Klark.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›