E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e lira çështje kombëtare

07/02/2009  Kryetari i KQZ-së kërkoi bashkëpunimin e qeverisë për kartat dhe të politikës për realizimin e procesit

Nënkryetari Subashi garanton: Nuk do të krijoj situata bllokuese për aktet administrative

Angazhim maksimal për realizimin e një procesi zgjedhor të pakontestueshëm dhe kërkesa drejtuar partive politike për bashkëpunim në këtë detyrë ishin dy elementet thelbësore të mesazhit që kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani drejtoi dje në mbledhjen e parë zyrtare të këtij institucioni. Nisur nga eksperienca e tij me procesin e zgjedhjeve vendore të 18 shkurtit 2007, numri një i KQZ-së tha se subjektet politikë janë faktorë dhe aktorë mjaft të rëndësishëm në procesin zgjedhor. Anëtarët e rinj të institucionit kryesor të administrimit të zgjedhjeve zgjodhën dje përmes një votimi të fshehtë edhe nënkryetaren e KQZ-së, përfaqësuesen e PS-së Dëshira Subashi.

Përgjegjësitë

Në fjalën e tij kryetari Ristani fillimisht ka përmendur qartë detyrat që Kodi Zgjedhori i përcakton institucionit që ai drejton, detyra për të cilat ai dhe anëtarët e tjerë do të jenë përgjegjës për sa i takon administrimit, zhvillimit dhe certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Por përtej angazhimit institucionit të tij për kthimin e faktorit “kohë” në favor të zgjedhjeve ai kërkoi bashkëpunimin e të gjitha palëve pjesëmarrëse në proces, në mënyrë të veçantë të partive politike. “Nga ky çast vëmendja jonë do të fokusohet në përballimin jo vetëm të volumit të punës që duhet të kryhet, në sensin administrativ, për organizimin e zgjedhjeve parlamentare, por dhe implementimin për herë të parë të sistemit proporcional dhe detyrave të reja që na përcakton Kodi Zgjedhor. Do të dëshiroja të vija në dukje se përtej të gjitha përpjekjeve të institucionit tonë, për të realizuar këtë detyrë është e domosdoshme të kemi dhe vullnetin e duhur politik”, - theksoi ai. Po ashtu ai përmendi edhe rëndësinë e përmbylljes së procesit për hartimin e regjistrit elektronik të shtetasve dhe të pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit. Të dyja këto janë detyrime të Ministrisë së Brendshme, projekte të cilat nuk janë realizuar ende. Për këtë ai i ftoi palët që të lënë mënjanë paragjykimet dhe qëndrimet skeptike subjektive. “Duhet dhe do të bëjmë maksimumin për të bërë realitet dëshirën e çdo shqiptari: zgjedhje të lira, të ndershme, konform të gjitha parametrave ndërkombëtarë, por mbi të gjitha të pakontestueshme prej askujt. Ne duhet dhe do të mundim ta shndërrojmë në realitet këtë aspiratë kombëtare”, - nënvizoi ai.

Nënkryetari

Me 5 vota pro dhe 2 kundër Subashi është votuar nga kolegët e saj nënkryetare e KQZ-së përballë përfaqësuesit tjetër të PS-së Artan Laze. Edhe ajo, ashtu si kryetari, uroi që institucioni i sapokonstituuar t’u japë fund një herë e mirë kontestimeve të zbatimit të ligjit dhe vendimeve të KQZ-së. Në fjalën e saj Subashi ka prekur atë pjesë të Kodit Zgjedhor që i bën të vlefshme funksionet e drejtuesit administrativ të institucionit, apo urdhrat e brendshëm në bazë dhe për zbatim të vendimeve të KQZ-së, nëse kanë edhe firmën e nënkryetarit krahas atij të kryetarit. E vetëdijshme për rolin e saj me peshë në këtë çështje, Subashi ka premtuar se do të zbatojë ligjin dhe se ligji i zbatuar drejt nuk sjell bllokime të procesit. “Unë gjithmonë kam qenë e mendimit se ligji i zbatuar drejt nuk krijon bllokime. Dikush që e shkel ligjin mund të krijojë një bllokim, por kjo është një çështje që ka të bëjë me cilësinë e kryerjes së detyrës”, - theksoi ajo.

Referuar kohës së daljes së dekretit të Presidentit të Republikës Bamir Topi për datën e zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka detyrimin që të mblidhet çdo ditë për të menaxhuar situatën për përgatitjen dhe administrimin e procesit të 28 qershorit 2008. KQZ-ja do të nisë betejën për procesin e ardhshëm në mbledhjen e ardhës, e cila sipas njoftimit të vetë kryetarit do të zhvillohet të hënën.

Vetoja e nënkryetarit

Neni 20 i Kodit Zgjedhor përcakton se kryetari kryen funksionet e drejtuesit administrativ të institucionit. Në zbatim të kompetencave, Kryetari i KQZ-së nxjerr urdhra të brendshëm vetëm në bazë dhe për zbatim të vendimeve të KQZ-së. Të gjitha aktet e nxjerra në bazë të përcaktimeve sa më sipër nënshkruhen edhe nga nënkryetari, përndryshe janë të pavlefshme. Për këtë pikë Subashi ka premtuar se do të zbatojë vetëm ligjin.

Kërkesa e Ristanit

Kryetari i KQZ-së, Ristani, i ka kërkuar qeverisë të mbyllë sa më shpejtë procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe hartimin e listave përfundimtare. “Shpresoj që procesi i pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit të shkojë mirë, dhe kjo do të jetë ndihmë për gjithë perspektivën e zgjedhjeve, sigurisht dhe të dhënat që dalin nga regjistri kombëtar i gjendjes civile për të hartuar lista të sakta zgjedhësish”, - tha ai.

Administrata

Ndonëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vetëm 2 ditë që është konstituuar, paraardhësi i Ristanit, ish-kryetari Çlirim Gjata, i ka paraprirë situatës zgjedhore. Administrata e KQZ-së ka përgatitur disa materiale paraprake për punën e komisionit, duke pasur parasysh dhe limitet kohore që parashikohen në Kodin Zgjedhor për sa u takon disa etapave të zinxhirit përgatitor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›