E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama zbardh detajet e programit për arsimin

07/02/2009  Takimet me rrjetin e vullnetarëve - stacioni i parë qyteti i Vlorës

“Transport falas për fëmijët që shkojnë në shkollë më shumë se 20 minuta më këmbë”

Rrjeti i të rinjve vullnetarë të Partisë Socialiste nisi takimin e parë në qytetin e Vlorës. Në çeljen e këtyre takimeve, që do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë, ishte i pranishëm dhe kreu i kësaj partie Edi Rama, i cili nuk harroi të falënderonte të rinjtë vlonjatë për nismën e tyre. Duke qenë pjesë e këtij rrjeti, të rinjtë do të angazhohen plotësisht në fushatën e elektorale të PS-së në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të dielën e 28 qershorit. Duke e konsideruar si mjaft të rëndësishëm kontributin e rrjetit të vullnetarëve në këtë fushatë, kreu i PS-së së bashku me ekipin drejtues të kësaj partie do të jenë të pranishëm në të gjitha takimet, duke nisur në këtë mënyrë një tjetër tur nëpër Shqipëri. Ndërkohë në takimin me vullnetarët e PS-së në Vlorë kreu socialist ka zbardhur disa nga detajet e programit të PS-së për arsimin. “Ne do ti japim çdo fëmije mundësinë e barabartë për shkollim, pavarësisht nëse ka lindur në Tiranë apo në fshatrat e Hasit ose Mallakastrës. Asnjë fëmijë i varfër nuk do të mbetet pa libra, asnjë prind që nuk blen dot librat e fëmijës për shkak të varfërisë nuk do të mbetet pa ndihmë dhe asnjë zonë rurale nuk do të mbetet pa mësues”, - u shpreh Rama. Sipas tij, pas 142 ditësh do të fillojë fundi i njëshkolonave migjeniane të kalamajve, që në shi e dëborë ecin me orë të tëra për të mbërritur shkollë. Për këtë arsye, duke iu referuar një skeme të tillë, kryetari i PS-së premtoi se “kudo që do të ketë fëmijë për të shkuar në shkollë më shumë se 20 minuta më këmbë do të jemi ne që do ti transportojmë falas, sepse nuk mund të ketë një Shqipëri fëmijësh me abetare e një Shqipëri fëmijësh pa abetare, sepse atdheu ynë nuk mund të jetë prind për disa fëmijë e njerkë për disa fëmijë të tjerë, sepse qeveria e bashkimit të ri të qytetarëve do të jetë qeveria e parë e këtij vendi që do ti shohë fëmijët e qytetit e të fshatit si fëmijë të barabartë të Republikës së Shqipërisë”. Nga ana tjetër, kreu socialist nuk harroi të lëshonte dhe mesazhet falënderuese për të rinjtë vlonjatë. “Faleminderit ju të gjithëve, që keni ardhur sot për të hapur kapitullin e ri të politikës së qytetarëve, duke u bërë vullnetarë të ndryshimit, zëdhënës të nevojës për ndryshim, lajmëtarë të rrugës së ndryshimit”, - u shpreh ai. Gjithashtu Rama i cilësoi zgjedhjet e ardhshme si një moment mjaft të rëndësishëm për zhdukjen e epokës së politikës së vjetër dhe kërkoi kontributin e të rinjve për të realizuar ndryshimin e ri. “Neve nuk na duhet një fitore për të ndërruar qeverinë e disave me qeverinë e disa të tjerëve, por për të ndërruar epokën e politikës së vjetër të politikanëve me epokën e politikës së re të qytetarëve”, - vlerësoi Rama gjatë fjalës së tij me të rinjtë vullnetarë të PS-së në Vlorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›