E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen Kule: Pollo na ka futur në kolaps

Kreu i universitetit më të madh në vend hedh alarmin se institucionet e arsimit të lartë po pengohen nga Ministria e Arsimit për funksionimin e tyre. Dhori Kule, në një intervistë për gazetën "Shqip", me shqetësim është shprehur se "ministri i Arsimit, Genc Pollo, këshillohet nga disa persona që ishin në garë për rektorë dhe dekanë, por që humbën zgjedhjet". Sipas tij, janë këta humbës, anëtarë të KALSH-it që hartojnë akte nënligjore të paligjshme për të frenuar punën e rektorëve të universiteteve shtetërore në mbarë vendin. "Ata kanë dëshirë që ne të dështojmë në punën tonë", thotë Kule, ndërsa shton se "kjo nuk do të lejohet të ndodhë kurrsesi, sepse i gjithë stafi akademik dhe drejtuesit janë gati të bëjnë çdolloj oponence ndaj akteve që shkelin të drejtat tona".

Cilat janë problemet me të cilat po ndeshet Universiteti i Tiranës? A ka polemika të brendshme mes rektorit dhe dekanëve?

Duke iu referuar shkrimit tuaj të ditës së sotme, mund të them se nuk ka asnjë lloj polemike mes rektorit dhe dekanëve. Për sa i përket rregullores mund të them se ne jemi në fazën që është përgatitur një projektstatut dhe kur të kalojë në senatin e UT-së do të diskutohen të gjitha propozimet e fakulteteve. Edhe ato të Fakultetit të Histori-Filologjisë që ju keni cituar. Askush nga ne s‘ka kompetencë të ndryshojë ligjin, ndaj garantoj se ky statut do të jetë totalisht i mbështetur në ligjin e arsimit të lartë. Sugjerimet e ardhura deri tani kanë të bëjnë më shumë me ligjin sesa me projektstatutin e UT-së. Mund të them se jemi në procesin e verifikimit të ligjit në praktikë dhe në këtë format mund të bëjmë propozime për amendim të ligjit.

A jeni njohur me shqetësimet e fakulteteve në lidhje me doktoraturat apo masterat?

Po. Ajo që vërej me shqetësim është pakënaqësia e fakulteteve lidhur me aktet nënligjore të përcjella së fundmi nga Ministria e Arsimit. Në fakt, ato e kapërcejnë ligjin. Këto akte cenojnë këtë sipërmarrje në të gjithë funksionimin e vet, duke filluar nga faktori human e më tej. Dyshoj se ato prodhohen në mënyrë të qëllimshme nga Ministria e Arsimit për të frenuar punën tonë.

Në takimin me Kryeministrin, rektorët kanë marrë sigurinë për mbështetje në realizimin e premtimeve tona të bëra në fushatën zgjedhore. Zgjedhjet e autoriteteve në janar u mbyllën me sukses. Zgjedhja e drejtuesve të rinj është tashmë e proklamuar si proces i suksesshëm. Janë zgjedhur me votë masive dekanë, rektorë dhe shefa departamentesh. Por pas zgjedhjeve ndodh një fenomen i çuditshëm. Të humburit, ata që nuk fituar kanë fuqi dhe kompetencë të hartojnë akte nënligjore për fituesit. Është njësoj sikur opozita në Parlament të bënte ligje për pozitën. Kjo është absurde, pasi dihet që opozitës i duhet të zbatojë platformën me ligjet që harton vetë. Kjo dukuri shumë agresive verifikohet në marrëdhëniet e Ministrisë së Arsimit me universitetet publike. Pollo ka mbledhur rreth vetes gjithë humbësit e zgjedhjeve.

Personat për të cilët ju po flisni punojnë në Ministrinë e Arsimit, apo janë këshilltarë të ministrit?

Ka një institucion që quhet KALSH (Këshilli i Arsimit të Lartë) në të cilin nuk japin mendime asnjë nga rektorët. Aty japin mendime dhe sugjerime vetëm ata që ishin kandidatë për dekanë dhe rektorë në universitetet publike, por që humbën në zgjedhje. Ata përpiqen të frenojnë fituesit. Duan të na pengojnë për të thënë që fituesit s‘po realizojnë dot premtimet. Kjo situatë duhet të ndryshojë me patjetër. Ne si institucion i kemi parë të gjitha aktet dhe kërkojmë që ato të ndryshojnë.

Cilat janë këto akte nënligjore që e kanë bllokuar punën e universiteteve publike?

Një prej tyre lidhet me doktoraturat. Këto, sipas ligjit të arsimit të lartë, duhet të vazhdonin me procedurat e mëparshme. Ka dalë një akt nënligjor që e kapërcen ligjin dhe që i bllokon doktoraturat në të gjitha universitetet publike. Është krijuar një shqetësim i madh për sa u përket procedurave dhe kritereve të tyre. Ne kemi pedagogë që janë të interesuar për të ndjekur studimet e doktoraturës, por që frenohen, duke bërë që ne të mbetemi pa stafe të kualifikuara. Ky është një problem madhor. Por jo i vetmi, një tjetër është ai për masterat. Fakultetet tona kanë mastera të konfiguruara dhe me status ndërkombëtar po që me aktet e Ministrisë së Arsimit pengohen të funksionojnë. Na kanë sjellë disa kritere për elementët e shkollimit që edhe çerdheve duhet të ishin menduar mirë para se t‘ua dërgonin. Janë pa logjikë dhe interpretojnë në mënyrë skandaloze Kartën e Bolonjës. Pra, shqetësimi ynë më madhor është se nuk na trajtojnë si partner. Pengesat e MASH-it janë të verifikueshme. Shembull është neni për financat, sipas të cilit çdo fakultet duhet t‘i kryejë vetë veprimet financiare. Në bazë të nenit 78, institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të miratojnë buxhetin sipas rregullores së tyre dhe janë autonome në menaxhimin e fondeve. Por e vërteta është se fakultetet janë të bllokuara, s‘ka filluar ende ekzekutimi i financave, sepse nuk jepet urdhri te Thesari që fakultetet të kryejnë shpenzimet siç i ka miratuar Këshilli i Administrimit i Universitetit të Tiranës. Pra, është kompetencë që ua njeh ligji, por që ia mohojnë strukturat administrative.

Si mendoni se duhet të zgjidhet kjo situatë. Pedagogët dhe studentët u kanë votuar ju për të drejtuar UT-në?

Opinioni ynë është që çdo akt duhet të konsultohet me grupet e interesit. Dhe e dyta duhet të përfaqësohen rektorët në strukturat që hartojnë aktet nënligjore për shkollat e larta. Ky është koncepti parimor. Në këtë moment ruhet autonomia dhe nuk cenohet siç ndodh tani në mënyrën më arrogante. Ne duam të zbatohet ligji që të mund të realizojmë misionin tonë. Këtë kërkojnë edhe kolegët e mi, rektorë në universitet e tjera publike me të cilët kemi bashkëbiseduar për problemet tona të përbashkëta. Për sa i përket zgjidhjes që jep UT-ja, mund të them se nisur nga pedagogët e deri tek organet kolegjiale po njihen me aktet nënligjore të MASH-it. Para disa ditësh kam bërë një mbledhje me zv/dekanët dhe ata më kërkuan t‘i kthej mbrapsht këto akte. Por mendoj se ato do të kundërshtohen me baza të qarta dhe do të jepen mendime nga çdo fakultet, pasi më të prekurit këtu janë pedagogët që nuk po munden të avancojnë studimet dhe më pas administrata që s‘realizon dot investimet. Vërejtjet tona do t‘u bëhen të ditura të gjitha instancave shtetërore përgjegjëse.

tabela

Emrat e anëtarëve të KALSH-it

1. Artan Fuga
2. Anila Godo
3. Aleksandër Xhuvani
4. Bardhyl Musaj
5. Evan Roco
6. Lindita Lati
7. Llukan Puka
8. Marenglen Gjonaj
9. Myqerem Tafaj
10. Petraq Petro
11. Romeo Gurakuqi
12. Spiro Qirko
13. Thoma Korini
14. Ylli Pango
15. Xhezair Zaganjori



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›