E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Aegean Airlines", linjë e përditshme Tiranë-Athinë

Duke nisur prej 19 majit 2008, kompania greke e fluturimeve "Aegean Airlines" do të ofrojë fluturime të përditshme drejt kryeqytetit të vendit fqinj nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës. Fluturimi i parë i kësaj kompanie do të niset nga Tirana drejt Athinës më 19 maj 2008 në orën 10 e 25 minuta dhe do të zbresë në kryeqytetin grek më 12 e 40 minuta. Fluturimet e kësaj kompanie do të rrisin ndjeshëm mundësitë e zgjedhjes për pasagjerët që përdorin transportin ajror në lëvizjet e tyre mes këtyre dy vendeve. "Me përmirësimet mbresëlënëse që ka bërë në infrastrukturën e vet dhe zhvillimin e një politike aktive marketingu, TIA ka mundur të afrojë një numër gjithnjë në rritje të kompanive të fluturimit që përdorin këtë aeroport, duke shtuar kështu alternativat për pasagjerët. Jam e sigurt se "Aegean Airlines" do të sjellë një rritje mjaft cilësore të mundësive për të zgjedhur nga pasagjerët që udhëtojnë mes këtyre vendeve që do të mirëpritet", tha Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e TIA-s, Andrea Gebbeken. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës pas përfundimit vitin e kaluar të terminalit të ri të pasagjerëve dhe të një rruge të re hyrëse, po bëhet gati për të nisur zgjerimin e terminalit, duke siguruar kështu nivele gjithnjë në rritje të sigurisë, cilësisë dhe rehatisë për përdoruesit e vet. Fillimi i funksionimit në TIA i kësaj kompanie të re çon në 13 numrin e kompanive që ofrojnë fluturime në TIA, ndërkohë që numri i destinacioneve tashmë është 33. Pas një viti tejet të suksesshëm në 2007-ën, TIA pret që të shënojë rritje të mëtejshme gjatë këtij viti. Në linjën që do të ofrojë këtë lidhje të përditshme mes Tiranës dhe Athinës, "Aegean Airlines" do të përdorë avionë të tipit "AVRO RJ 100" me një kapacitet prej 112 pasagjerësh.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›