Sejdiu: Përvoja e Shqipërisë, nxitje për realizmin E integrimin në strukturat e NATO-s dhe BE-së
Presidenti i Shqipërisë priti dje homologun e tij, Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu u prit dje në Pallatin e Brigadave nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Me këtë rast u organizua ceremonia zyrtare e pritjes, gjatë së cilës u ekzekutuan himnet kombëtare të të dy vendeve dhe kalimi në revistë i truprojës së nderit.
Pas takimit kokë më kokë të të dy Presidentëve, u zhvilluan bisedimet mes dy delegacioneve shtetërore, atij shqiptar të drejtuar nga Presidenti Topi dhe atij kosovar të kryesuar nga Presidenti Sejdiu.
Biseda mes dy homologëve është përqendruar mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe Kosovë, mbi çështje me rëndësi të veçantë për të dy vendet tona, në drejtim të rritjes së bashkëpunimit të gjithanshëm, politik, ekonomik, social, kulturor etj.
Bamir Topi
Duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të shtetit të ri të Kosovës në rajon e më gjerë, Presidenti Topi u shpreh se, “Ne e konsiderojmë rolin e Kosovës, institucioneve të saj, pavarësinë e Kosovës, si një element të qenësishëm në funksion të stabilitetit rajonal”.
Gjithashtu, Kreu i shtetit shqiptar, theksoi se mbetet tepër i rëndësishëm shkëmbimi i marrëdhënieve mes dy popujve tanë në të gjitha fushat, ç’ka do ta bëjë të mundur së shpejti përfundimi i ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës.
Lidhur me këtë, Presidenti Topi tha se, “Jam i bindur që rruga që lidh Durrësin me Morinën, me Kosovën, do të jetë një rrugë që do t’i shërbejë edhe popujve të tjerë, sepse sot sikurse thashë, e ardhmja nuk i përket thjesht marrëdhënieve midis dy vendeve tona, por marrëdhënieve shumë komplekse që ekzistojnë midis vendeve dhe popujve të Ballkanit, të cilët do të jenë patjetër nesër shumë afër të gjitha standardeve qoftë politike, ekonomike dhe shoqërore në kontinent, ku ne kemi bërë pjesë historikisht”.
Duke vlerësuar rrugën e Shqipërisë për integrimin në strukturat euroatlantike, Presidenti Topi, inkurajoi homologun e tij dhe shtetin e Kosovës, në këtë rrugë, duke shprehur vlerësimet maksimale, për gjithë faktorët politikë dhe institucionet e Kosovës në rrugën për realizimin e aspiratave të saj.
“Shqipëria po ecën çdo ditë duke bërë progres të dukshëm në rrugën e integrimit në komunitetin evropian. Kosova, nga ana saj, mbas datës 17 shkurt, është një shtet i lirë, sovran dhe i pavarur, ndërsa roli i Shqipërisë në rajon është i dukshëm si një vend moderator, si një vend shumë konstruktiv, që i vjen jo thjesht vetëm nëpërmjet rolit të institucionit të lidershipit, dhe pa diskutim, si kontribut i të gjitha forcave politike, por vjen edhe si rezultat i një sjelljeje mjaft civile të të gjithë faktorit qytetar në terren, në rajon, kudo ku ai jeton”, u shpreh Presidenti Topi.
Fatmir Sjediu
Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu shprehu mirënjohjen për pritjen që i është rezervuar dhe vlerësoi se këto takime i shërbejnë nxitjes së mëtejshme të bashkëpunimit dypalësh, si dhe përmirësimit të marrëdhënieve në të gjitha nivelet.
Lidhur me këtë, u shpreh Sejdiu, “kemi një objektiv të përbashkët që Kosova dhe Shqipëria si dhe vendet e tjera të rajonit të hyjnë në një lëvizje të përshpejtuar të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Na gëzon fakti që Shqipëria ka kapërcyer sfida të mëdha, që ka marrë ftesën që të jetë anëtare e NATO-s dhe se kjo cilësi që ka do të jetë nxitje për të mirë edhe për Republikën e Kosovës.”
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, vlerësoi më tej mbështetjen shumëdimensionale dhe historike të Shqipërisë për Kosovën.
Për Sejdiun, përvoja e mirë e Shqipërisë, do të shërbejë si nxitje për Kosovën, në përmbushjen e qëllimit të përbashkët të këtyre dy vendeve, integrimin në NATO dhe në BE.
“Për ne është shumë e rëndësishme të theksojmë edhe një herë se mbështetja e Shqipërisë ka qenë shumë dimensionale dhe është shtrirë në rrafshe të shumta pastaj që janë mbështetje për një periudhë të gjatë kohore dhe veçanërisht në atë që e kemi theksuar në përmbylljen e ciklit të mëvetësisë së saj si në planin ndërkombëtar, si në planet e tjera. Për ne është shumë e rëndësishme që do të shërbejë përvoja juaj e kapërcimit të shumë sfidave, për të zhvilluar dhe ndërtuar vetveten si një shtet demokratik i vlerave evropiane dhe për të qenë model i mirë për nxitimet që ne duhet t’i bëjmë. Kemi një objektiv të përbashkët që Kosova dhe Shqipëria si dhe vendet e tjera të rajonit të hyjnë në një lëvizje të përshpejtuar të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Na gëzon fakti që Shqipëria ka kapërcyer sfida të mëdha, që ka marrë ftesën që të jetë anëtare e NATO-s dhe se kjo cilësi që ka do të jetë nxitje për të mirë edhe për Republikën e Kosovës. Prandaj kemi hyrë në rrafshe të reja pas 17 shkurtit”, u shpreh Presidenti Sjediu.
...