E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI tërhiqet nga Fieri, në Durrës kandidati nga Partia Demokratike

28/02/2011  Elbasani, Berati, Gjirokastra dhe Lezha në tryezën e diskutimeve mes PD dhe aleatëve

Monika Kryemadhi, kandidate në njësinë bashkiake numër 5 në Tiranë, lëshon Kombinatin

Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike, duket se po shkojnë drejt një marrëveshjeje përfundimtare në lidhje me zonat ku do të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet e 8 majit. Burime nga të dyja forcat politike, thanë dje për “Metropol” se LSI synon të ketë kandidatët e saj kryesisht në Bashkinë e Elbasanit, Gjirokastrës, Beratit, Lezhës në rangun e bashkive të mëdha, si dhe bashki të tilla, si: Çërriku, Çorovoda, apo Lushnja si bashki të dyta. Ndërkohë po negociohet dhe për Bashkinë e Durrësit, por me sa duket këtu kanë hasur në kundërshti nga Partia Demokratike, e cila ka një elektorat të konsiderueshëm në këtë qytet dhe duket tejet e vështirë tia lëshojë si terren aleatit të saj.

Bashkitë e mëdha

Gjithsesi, burimet shprehen se deri më tani është konkluduar Bashkia e Elbasanit, por dhe të tjerat janë në proces negocimi. Burime nga LSI shprehen se të gjitha kërkesat janë bërë në bazë të rezultateve që kjo forcë politike ka marrë në dy zgjedhjet e fundit, në vitin 2007, ku sipas saj, vota e saj ishte decizive për të majtën, e cila fitoi pjesën dërrmuese të bashkive të mëdha, dhe në vitin 2009, ku ishte sërish përçarja e së majtës që solli dhe humbjen e zgjedhjeve të përgjithshme, ku në shumë raste rrjedhja e votave nga ana e LSI-së rezultoi fatale. Të njëjtat burime thanë se ka një tërheqje nga qarku i Fierit, ku ikja e deputetit Prifti do të dëmtonte kandidatin e kësaj partie në këtë qark. Gjithsesi burimet shprehen se rreth 25 për qind e pushtetit lokal pritet ti jepet kësaj partie dhe në rang komunash apo këshilltarësh bashkiakë, çka do të sillte një zgjerim akoma më të madh të bazës së LSI-së në zgjedhje.

Minibashkitë e Tiranës

Ndërkohë jashtë vëmendjes së negociatave nuk kanë mbetur as minibashkitë e Tiranës. Deri më tani është marrë konfirmimi për tri të tilla. Minibashkinë numër 2, zona e “Ali Demit” dhe “Mihal Gramenos”; minibashkinë numër 3, zona e Kinostudios, ku pritet të rikandidohet sërish Ilir Kokona, dhe minibashkinë numër 5, zona e Tiranës së Re dhe ish-Blloku, ku pritet të kandidojë bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi. Në diskutim është dhe minibashkia numër 7, ku aktualisht është kryetar Pandeli Saro, i pakënaqur me PS-në dhe që së shpejti pritet ti kalojë LSI-së. Ndërkohë nga ana e saj LSI ka hequr dorë nga zona numër 6 e Kombinatit, të cilën e kontrollon aktualisht. Gjithsesi një panoramë më e qartë të zonave do jepet pas nënshkrimit të marrëveshjes, që pritet të bëhet diku nga java e dytë e marsit. Përgjatë kësaj kohe të dy forcat politike do jenë përfshirë përveç fushatës dhe në bisedime intensive, çka mund të bëjë që harta e zonave që do kontrollohen nga secila forcë mund të ndryshojë.

Ndryshimet

Gjithsesi burime në PD shprehen se rast pas rasti do të shqyrtohen jo vetëm kandidaturat që vijnë nga vetë strukturat e Partisë Demokratike, por do të shikohet dhe kandidati që do vijë nga LSI, me qëllim përzgjedhjen e më të mirit, çka do të reduktonte dhe humbjen apo rrjedhjen e votave për secilin mbështetës. Të njëjtat burime u shprehën se zgjedhjet shihen si tejet të rëndësishme jo vetëm për stabilitetin e vendit, por do të shërbejnë dhe si një konsolidim i pushtetit nga ana e mazhorancës, që në mënyrë sistematike është goditur përgjatë kësaj kohe nga ana e Partisë Socialiste, e cila e ka akuzuar mazhorancën për manipulim të zgjedhjeve të 29 qershorit të vitit 2009.

Beteja për Tiranën, fokusi kryesor i koalicionit

LSI mobilizohet për humbjen e Ramës në Tiranë

Nga ana e saj LSI është angazhuar dhe në një fushatë të fuqishme në Tiranë. Prej kohësh forumet e saj janë angazhuar në të 11 minibashkitë e kryeqytetit, në mbështetje të kandidatit të përbashkët, që sipas të gjitha gjasave pritet të jetë ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Nga ana e saj LSI e sheh betejën për Tiranën dhe si një betejë kundër kryetarit aktual të PS-së, Edi Rama. Në fakt, një humbje e PS-së në Tiranë, do i faturohej pikërisht atij, dhe pse kjo do të lëkundte ndjeshëm pozitat e tij në krye të PS-së. Vetë Rama nga ana e tij, në një intervistë të dhënë pak ditë më parë, u shpreh se kandidimi në Tiranë nuk është i lidhur domosdoshmërish me emrin e tij. Por në rast se ndodh kjo, atëherë fitorja e PS-së në Tiranë do të vështirësohej akoma më shumë. Kjo duke pasur parasysh se pavarësisht sulmeve që i janë bërë Lulzim Bashës, Partia Demokratike në këto gjashtë vjet ka investuar jo pak në figurën e Bashës. Atij i njihet merita për ndërtimin e rrugës Durrës- Kukës, merita në fushën e diplomacisë dhe integrimit për sa kohë ishte ministër i Jashtëm, kujtojmë këtu dorëzimin e aplikimit për statusin e vendit kandidat, ndërkohë që suksesi më i madh i tij ishte vendimi pozitiv i BE-së për liberalizimin e vizave, ku Ministria e Brendshme kishte meritën më të madhe.

Lokale 2011, favorizohet e djathta

Në rast se do shikohet shpërndarja e votave në vitin 2009, do vihet re se vetëm në 4 qarqe vota e LSI-së nuk luan ndonjë rol deciziv qoftë për zgjedhjet e përgjithshme, ashtu dhe për ato vendore. Fitore të thellë ajo ka korrur në Fier, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër. Në të gjitha qarqet e tjera, bashkimi i votave me njërën apo tjetrën palë bën diferencë të dukshme. Duhet thënë se nga ky bashkim, në vitin 2007, PD humbi thellë në 9 qarqe bashkitë e mëdha, kryesisht në bastionet e saj. Aso kohe PD fitoi vetëm Kukësin, Shkodrën dhe Dibrën, duke humbur të gjitha qarqet e tjera. Gjithsesi deri më tetë maj mbetet për tu parë nëse LSI do jetë decizive si në vitin 2007.

Tirana

Në zgjedhjet e vitit 2009, Lëvizja Socialiste për Integrim në zgjedhjet e përgjithshme në Tiranë arriti të grumbullonte 19, 916 vota, thuajse sa ishte diferenca e votave në vitin 2007 mes dy kandidatëve: Sokol Olldashi dhe Edi Rama. Koalicioni Aleanca për Ndryshim, ose PD dhe aleatët, në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-s arritën të merrnin në total 177, 896 vota kundrejt 173, 515 votave. Natyrisht, këto janë rezultatet në rang qarku, por sërish mund të krijohet një panoramë se vërtet LSI në zgjedhjet e majit të këtij viti, është një forcë që duhet marrë seriozisht në konsideratë për sa i përket numrit të votuesve të saj.

Durrësi

Në Durrës, në zgjedhjet e kaluara të djathtët kanë kryesuar bindshëm në krahasim me kundërshtarët e tyre. Sipas shifrave zyrtare të KQZ, Aleanca për Ndryshim ka marrë në këto zgjedhje rreth 68, 518 vota kundrejt 52,38 votave që ka marrë PS. Ndërsa LSI në këtë qark ka arritur rreth 10634 vota. Pra, kemi të bëjmë me një shifër të konsiderueshme votash që kjo forcë politike jep për këtë qark. Në zgjedhjet e kaluara lokale, megjithëse pritej një fitore e padiskutueshme e ish-kandidatit Teliti, sërish fitoi Vangjush Dako. Humbja nën zë nga ana e PD-së iu faturua pikërisht Telitit, çka do të thotë se me Durrësin duhet pasur kujdes.

Elbasani

Në Elbasan PS, në zgjedhjet e kaluara ka arritur të marrë katër mijë vota më shumë se PD, në rang qarku, ndërkohë që LSI ka marrë më shumë se 7 mijë vota. Megjithëse duket se në tërësi Elbasani grumbullon më shumë vota për koalicionin qeveritar, sërish mbetet një qytet problematik, ku mund të themi se peshorja anon nga e majta, Gjithsesi, dhe në zgjedhjet e vitit 2007, kontributi i LSI-së për fitoren e Qazim Sejdinit ishte deciziv. Mbetet për tu parë nëse votat e kësaj force politike do të shërbejnë që koalicioni qeveritar të korrë një fitore në këtë qytet, që është nga më të mëdhenjtë si në rang qarku, ashtu dhe bashkie.

Reagimi i PD

Bulku: Ina Rama raporton çdo mbrëmje tek PS për 21 janarin

Deputetja e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku e ka akuzuar dje Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama se po nxjerr përditë në tregun e mediave opozitare dokumente të dosjes së grushtit të shtetit të 21 janarit. Deputetja Bulku e ka cilësuar si një amoralitet të plotë profesional këtë gjest të Kryeprokurores, duke e akuzuar atë se po bën gjithçka me qëllim që të rrënojë hetimin. “Shoqja e bulevardit dërgon në selinë e Partisë Socialiste çdo darkë dokumentet e hetimit vetëm e vetëm që të mund të mbrojë në këtë proces të shkatërruar pinjollët e Ben Alive, Gedafëve, Mubarakëve, që përmbysëm në vitin 91”, deklaroi zonja Bulku në një konferencë për shtyp. Sipas deputetes Bulku, Kryeprokurorja Ina Rama po rreket të mbrojë nga hetimi Edvin Kristaq Ramën, që sikundër tha zonja Bulku, është nipi i xhelatit të inteligjencës teknike shqiptare, që 20 vjet më parë deklaronte se pushtetin e kemi marrë me gjak dhe nuk e dorëzojmë pa gjak. Duke denoncuar këtë qëndrim të papërgjegjshëm të Kryeprokurores Ina Rama, deputetja demokrate Rajmonda Bulku tha se Kryeprokurorja Rama mbron organizatorin e grushtit të shtetit për të siguruar mandatin e dytë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme.

Largimet

Kryetari i Njësisë Bashkiake nr. 3 në Tiranë, Ilir Kokona, ka bërë të ditur para disa ditësh se largohet nga partia e Edi Ramës për tiu bashkuar asaj të Ilir Metës. Deklarata e ardhur nga selia e LSI-së është bërë nga sekretari i Përgjithshëm i saj Luan Rama, i cili theksoi se do të ketë të tjerë të larguar në radhët e selisë rozë, të cilët do i bashkohen sërish kësaj partie. Ai tha më tej se këto lëvizje vijnë në saje të politikës dhe rrugës të ndjekur nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ndërkohë kjo nuk është ikja e parë që bëhet nga radhët e LSI tek PS. Para disa kohësh, kreu i BAshkisë Lushnjë deklaroi bashkimin me LSI-së, së bashku me rreth 300 anëtarë të kësaj partie. Po ashtu, një pjesë e mirë anëtarë të asamblesë së PS Shkodër, së bashku me anëtarët e FRESSH të kësaj dege, pas 21 janarit kaluan në radhët e LSI, duke deklaruar se nuk bashkohen me filozofinë e dhunës dhe izolimin që është krijuar në këtë parti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›