Basha: OSBE, asistencë e çmuar për Shqipërinë
“Asistenca teknike e OSBE për modernizimin e shërbimit të Gjendjes Civile dhe për Regjistrin Kombëtar Elektronik të Adresave, e po kështu kontributi i OSBE-së për modernizimin dhe trajnimin me praktikat më bashkëkohore europiane të policisë shqiptare” janë një ndër vlerësimet më të dukshme të parashtruara nga Basha gjatë takimit me de Brichambaut. Kjo deklaratë u dha sot nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE Marc Perrin de Brichambaut.
Ministri Basha dhe Brichambaut vlerësuan ecurinë e deritanishme të projekteve të mbështetura nga OSBE në Shqipëri.
“Vetëm disa ditë më parë falë mbështetjes së OSBE, 16 oficerë të policisë u çertifikuan si instruktorë policorë ndërkombëtarë, të cilët do të asistojnë në trajnimin e policisë afgane” tha ministri Basha.
Ministri Basha e informoi gjerësisht Brichambaut për rezultatet domethënëse në luftën kundër krimit të organizuar, kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Ndërkaq, Basha informoi Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE Brichambaut edhe për nismën e Shqipërisë në kuadër të MARRI-t për konkretizimin e një Shengen-i Ballkanik që do t`u mundësojë lëvizjen e lirë qytetarëve të vendeve të rajonit, vetëm me dokumente identifikimi.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE Marc Perrin de Brichambaut vlerësoi progresin e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe të gjithë formave të kriminalitetit dhe shprehu mbështetjen e OSBE për zbatimin e ligjit për identifikimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale.
Brichambaut shprehu mbështetjen e plotë për vijimësinë e projekteve të OSBE në Shqipëri në të gjitha fushat e bashkëpunimit dhe po ashtu për rajonalizimin e përvojës së Shqipërisë për kontrollin e kufirit blu nëpërmjet Qendrës Ndër institucionale Operacionale Detare.