E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDIU përshëndet vendimin e qeverisë për shtyrjen

28/02/2011  Regjistrimi i Popullsisë

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, me anë të një deklarate të shpërndarë për mediat përshëndet vendimin më të fundit të qeverisë, sa i përket shtyrjes së regjistrimit të popullsisë. Në deklaratën e PDIU-së, duke e konsideruar këtë vendim si një kërkesë të hershme të bërë publike nga ana e saj, theksohet se “procesi i regjistrimit të popullsisë tashmë do të marrë kohën e nevojshme për t’u diskutuar në publik dhe nga juristët, në mënyrë që të jetë një proces i drejtë, transparent dhe brenda standardeve evropiane”. Gjithashtu, partia e komunitetit çam në Shqipëri është e mendimit se në lidhje me mbarëvajtjen e këtij procesi janë pjekur të gjitha kushtet tashmë, dhe për këtë ajo shprehet e mendimit se për regjistrimin e popullsisë duhet të hapet dhe dialogu i gjerë publik. Pasi jemi të bindur, shton më tej Shpëtim Idrizi në deklaratë, se në fund të dialogut do të dalë në shesh e vërteta. “Regjistrimi duhet të jetë larg tendencave dhe ndërhyrjeve të dënueshme nga të gjithë ne, të cilat janë të dëmshme dhe cenojnë rëndë sovranitetin e Shqipërisë, çka përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës”, theksohet në deklaratën e PDIU-së. Sa u përket pyetjeve mbi përkatësinë e fesë dhe kombësisë në pyetësorin e regjistrimit të popullsisë, PDIU-ja deklaron se ato janë pyetje antikushtetuese, të cilat kanë një theks të dukshëm antikombëtar. Një ditë më parë, ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo, nëpërmjet një deklarate për mediat ka deklaruar zyrtarisht shtyrjen e regjistrimit të popullsisë. Në deklarimin e dhënë nga zëdhënësja e ministrit thuhej se në fillim të kësaj jave do të mblidhet Komisioni Qendror i Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave, i cili do të vendosë nëse procesi i regjistrimit do të kryhet gjatë muajit tetor ose nëntor. Ndërkaq ky regjistrim, siç ishte lajmëruar, duhet të niste në muajin prill. Shtyrja e këtij procesi është argumentuar me faktin se ky proces përkonte në një kohë kur pushteti vendor është i angazhuar me zgjedhjet lokale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›