E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia në Gjermani, mes të vrarëve edhe një nxënës kosovar



Blerina Olldashi
Pas tragjedisë në Gjermani, ku humbën jetën 17 persona, u bë e ditur se njëri nga të vrarët ishte edhe një nxënës shqiptar nga Kosova. Lajmi u konfirmua nga drejtoresha e Policisë gjermane, Renate Roesh, e cila tha se mes nëntë nxënësve të vrarë dy ditë më parë nga 17-vjeçari Tim Kretshmer në shkollën “Albertville” në Shtutgard, Gjermani, ishte edhe një nxënës kosovar i moshës 14-15 vjeç. “Po, mund të konfirmoj se ndërmjet nxënëseve të vrarë në shkollën ‘Albertville’ ishte edhe një nxënës shqiptar nga Kosova, i cili ashtu si nxënësit e tjerë, ishte i moshës 14-15 vjeç”,- deklaroi Roesh, e cila nuk dha informacione të tjera për shkak të hetimeve që po zhvillohen. Bëhet e ditur se në zonën ku ndodhi tragjedia e rëndë jetojnë më shumë shqiptarë sesa në çdo pjesë tjetër të Gjermanisë. Policia, pas ngjarjes, bëri të ditur se Tim Kretshmer, adoleshenti që vrau pesëmbëdhjetë veta të mërkurën në një shkollë, kishte paralajmëruar në internet një natë më parë se ai do të bënte diçka të tillë. Në një konferencë për shtyp hetuesit thanë se mesazhi iu dërgua një të riu nga Bavaria, megjithatë ai nuk e mori seriozisht gjithë këtë. Adoleshenti në këtë mesazh komunikonte: “Nuk mundem më të vazhdoj me këtë jetë të shpifur, është gjithnjë e njëjta gjë. Të gjithë tallen me mua dhe askush nuk i vlerëson aftësitë e mia. Tani kam armët. Nesër do të shkoj në ish-shkollën time dhe do t’i zhduk të gjithë. Do të dëgjoni të flitet për mua. Do ta kujtoni gjatë Vinendenin”. Ky është teksti që 17-vjeçari Tim Kreshmer, autori i tragjedisë të së mërkurës, i ka dërguar me anë të një bisede në internet një djali nga Bavaria pak orë para se të kryente masakrën. Ky fakt u bë i ditur nga Ministria e Brendshme e vendit.
I riu, që e mori mesazhin në orën 02:44 të mëngjesit, u kujtua për atë që iu komunikua një ditë më pas, kur mësoi lajmin për tragjedinë. Policia gjermane bëri të ditur se vrasësi qëlloi 60 herë në shkollë dhe 52 herë të tjera gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë pak para se të vritej. Prokurorët janë shprehur se për ngjarjen e rëndë mund të akuzohet i ati i djalit, i cili duhet të mbante nën kontroll pistoletën e tipit “Beretta”.
Ditën e djeshme policia suedeze ka mundur të shmangë një tjetër ngjarje kur një adoleshent në këtë vend kërcënoi se do të përsëriste masakrën e Gjermanisë. 17-vjeçari publikoi në internet një foto me armë në dorë, ku kërcënonte se do të vepronte njëlloj si bashkëmoshatari i tij gjerman. Objekt i sulmit do të ishte shkolla e tij. Policia arriti të shmangte ngjarjen pas marrjes së informacionit dhe mundi të arrestonte adoleshentin. Ngjarja ndodhi në Lund, në jug të Suedisë.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›