Pango: Do të vazhdojmë gjyqin për kokën e Asklepiusit
"Do të vazhdojmë procedurat gjyqësore për kthimin e kokës së Zeusit, apo Asklepiusit". Kështu ka deklaruar ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pak javë më parë, dy futbollistët Igli Tare dhe Lorik Cana kanë paguar në Itali 20 mijë euro, që objekti arkeologjik, i vjedhur në Muzeun e Butrintit më 1991-shin, të rikthehej në Shqipëri. Por, ndërsa futbollistët e quajtën një akt simbolik, ministri Pango nuk pajtohet me ta. "Ne negociuam për sjelljen e statujave greke në Shqipëri dhe të njëjtat procedura po ndiqnim edhe për kokën e Asklepiusit. Kryem procesin gjyqësor për të vërtetuar pronësinë mbi këtë objekt, i cili ishte blerë nga një koleksionist italian në Londër. Procesi vazhdon për ta kthyer këtë pronë legjitime shqiptare. Askush nuk paguan për pronën e vet. Nuk ka nevojë që një privat të paguajë që shteti të marrë atë që i takon", ka theksuar Pango. Sipas tij, Tare i ka paguar paratë italianit, i cili pretendon se ka faturat. Por këtë gjë ministri e konsideron të parregullt nga ana ligjore. "Kjo bie ndesh me konventat ndërkombëtare. Koleksionisti është në hetim për këtë çështje, për të vërtetuar blerjen dhe origjinën e mallit. Nëse do të duhej, atëherë ne do t‘i paguanim vetë 20 mijë eurot", ka theksuar Pango. Sipas tij, procedurat për kthimin në rrugë diplomatike do të vazhdojnë, pavarësisht se dy futbollistët kanë paguar një çek me shifrën e 20 mijë eurove. Sipas ministrit, me këtë çështje po merren disa specialistë. Madje gjestin e Tares dhe Canës ai nuk ka ngurruar ta quajë një show politik. Koka e Asklepiusit (Zoti grek i Mjekësisë) është zbuluar në Butrint nga arkeologu italian Ugolini në vitin 1932. Ajo është vjedhur së bashku me statuja të tjera antike në vitin 1991 nga Muzeu i Butrintit.