Këngëtarët shqiptarë: Në Eurovizion të këndojmë shqip
Këngëtarët dhe autorët shqiptarë duan ta përfaqësojnë Maqedoninë në Festivalin Evropian të Këngës, Eurosong, që këtë vit do të zhvillohet në Moskë, por vetëm në qoftë se ata do të lejohen të këndojnë në gjuhën amtare. Artistët shqiptarë të estradës në Maqedoni janë të mendimit se e ndiejnë veten të diskriminuar, kur nuk lejohen që në konkursin kombëtar për zgjedhjen e përfaqësuesit të Maqedonisë në Eurosong, të këndojnë në gjuhën shqipe. Ata reaguan kështu ndaj rregullores se MRT-së (Radio Televizionit Maqedonas), në të cilën përcaktohet qartë se këngëtarët në konkursin në nivel kombëtar duhet të këndojnë vetëm në gjuhën maqedonase. "Gjuha nuk është vetëm shprehje e identitetit, por edhe mënyrë e shprehjes së artit. Në këngë ka dy elemente: muzika dhe fjala. Ne si artistë këngëtarë e ndiejmë veten dhe e ekzekutojmë kompozicionin shumë më mirë kur e këndojmë në gjuhën amtare", vuri në dukje ditët e fundit, në një konferencë shtypi këngëtari shqiptar Agim Poshka. Ai tha se kjo përballje me mediumet në Maqedoni u bë me nismën e Lidhjes së Artistëve të Muzikës dhe të Baletit Shqiptar, Fakultetit të Artit pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës, lëvizjes qytetare "Zgjohu", Unionit të Intelektualëve Shqiptarë dhe Institutit për Demokraci e Zhvillim në Maqedoni. "Ne kërkojmë që këngëtarët tanë të marrin pjesë me këngë të kënduara në gjuhën shqipe", tha Poshka. Ai ishte kategorik kur iu bë një pyetje se përse asnjë autor shqiptar nuk kishte paraqitur këngë në konkursin e sivjetshëm. "Këngëtarët dhe autorët shqiptarë kanë një dëshirë të madhe që të marrin pjesë në konkurs dhe me kënaqësi do ta përfaqësonin Maqedoninë në Eurovizion, por vetëm nëse atyre u lejohet të këndojnë në gjuhën e tyre amtare", vazhdoi ai. Sidoqoftë, në Radio Televizionin Maqedonas, që është organizator i konkursit kombëtar për zgjedhjen e këngëtarit dhe të këngës për në Eurosong, thonë se konkursi ka rregulla të qarta e strikte. "Një nga këto rregulla përcakton se të drejtën e pjesëmarrjes e kanë të gjithë shtetasit e Maqedonisë, por se ato duhet të këndohen në gjuhën maqedonase, që është gjuhë zyrtare në territorin e Maqedonisë me shkrimin e saj cirilik. Konkursi u zhvillua më 25 nëntor-30 dhjetor 2008 dhe, në qoftë se dikush do të kishte pasur vërejtje dhe do të donte të reagonte, ai do të mund ta kishte bërë këtë në atë kohë ose, të paktën, deri para zhvillimit të konkursit kombëtar. Qëndrimi ynë është se kënga që këndohet në konkursin kombëtar për në Eurovizionin e Moskës, duhet të jetë në gjuhën maqedonase", vuri në dukje znj. Gordana Andrashevska, kryetare e delegacionit maqedonas, që do të shkojë në Rusi.