E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mbrëmje napolitane" në Akademinë e Arteve

Tinguj të muzikës napolitane do të shoqërojnë mbrëmjen e së enjtes në Akademinë e Arteve në kuadër të sezonit IX ndërkombëtar të muzikës klasike. E titulluar "Mbrëmje napoletane", në këtë koncert do të marrin pjesë artistët Pietro Quirino i shoqëruar nga Quartetto Calace. Artistët pjesëmarrës do të paraqesin një përmbledhje të rafinuar historike të këngës napoletane, duke kaluar nga muzika klasike në atë tradicionale etnike e më pas te këngët e autorve. Ata do të përshkojnë një pjesë historike-muzikore duke nisur nga vitet 600 e deri në mesin e viteve ‘900, përmes zhanreve të ndryshme të kësaj krahine të Italisë së Jugut.

Interpretimit rigoroz linguistik të "Tarantella Napoletana", "Funiculì funiculà", "I te vurria vasà", "O sole mio", "Torna ‘a Surriento" etj., do t‘i bashkohet një teatralizim dhe një prekje delikate e elementeve historike të pranishme në çdo pjesë. Pietro Quirino do të shoqërohet në kitarë nga Giovanni Dell‘Aversana, në mandolinë nga Michele De Martino dhe Agostino Oliviero dhe në mandolë nga Edoardo Converso. Aktiviteti organizohet nga Instituti Italian i Kulturës, në kuadër të edicionit të IX të Stinës Koncertore Klasike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›