Shqiponja e skicuar nga një oficer francez
Mes eksponateve, dokumenteve, librave të shekujve XVII-XIX, ndër ta libra të rilindësve dhe albanologëve vendas e të huaj, në ekspozitën e koleksionistëve të hapur dje në Galerinë Kombëtare të Arteve gjenden edhe 9 flamuj të rrallë shqiptarë. Datojnë që nga 1904-a deri më 1927-ën. Për herë të parë mes tyre ekspozohet edhe një flamur i vitit 1917, i përdorur në kohën e Republikës Vetëqeveritare të Korçës. I përket koleksionistit Shpëtim Sala, njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë. Dallon prej të tjerëve, jo vetëm sepse nuk kemi më flamurin kuq e zi, por edhe për një shqiponjë të stilizuar ndryshe. "Këtë imazh të shqiponjës e kemi parë në pullat postare të Republikës Vetëqeveritare të Korçës, në kartolina, vula, apo dokumente zyrtare që ne i disponojmë në koleksionet tona. Por asnjëherë deri më tani nuk e kishim hasur imazhin e kësaj shqiponje në flamur. Nuk është flamur me fushë të kuqe, por me ornamente floreale e vendosur mbi një beze mëndafshi. Është pikturuar me bojë të zezë", tregon Sala. Në një album ai ka të vendosura edhe pullat postare të majit 1917, në të cilat imazhi i përdorur është gati i njëjtë me shqiponjën e flamurit. Sipas Salës, nuk dihet origjina e këtij flamuri, por në atë kohë një oficer francez e ka stilizuar këtë shqiponjë. Kjo është e justifikuar me praninë e francezëve në këtë kohë në qytetin e Korçës. Deri më sot, ky flamur është trashëguar nga të afërm të familjes së tij në Korçë. Ky ekzemplar u bashkohet edhe disa flamurëve të tjerë që ai mban në koleksionin e tij. Ekspozita e hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve është një ndër aktivitetet e kalendarit të përbashkët të muajit Shqipëri-Kosovë. Përveç flamujve, pjesë e saj janë edhe dokumente mbi veprimtarinë patriotike e kulturore, si dhe foto të rralla të figurave të njohura. Ekspozita do të qëndrojë e hapur edhe për tri ditë të tjera.