Shpallen fituesit e "Artistët emergjentë"
Galeria Kombëtare e Arteve ka shpallur fituesit e projektit për artistët emergjentë. Kjo vjen si zbatim i urdhrit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nr. 31, datë 30.01.2009, "Për kalimin e fondit për institucionin e GKA-së, me destinacion për krijimin e fondit publik për artistët emergjentë në këtë institucion". Sipas njoftimit për shtyp, një komision i përbërë nga drejtori Rubens Shima, Genti Gjikola dhe Flutura Agaj, u mblodh në datë 23 shkurt dhe pasi i shqyrtoi të gjitha dosjet pjesëmarrëse, duke respektuar të gjitha kriteret e vendosura që në shpallje të këtij konkursi, vlerëson dhe klasifikon si fitues 6 pjesëmarrës: Lubjana Dashi, Bahrije Toptani, Kreshnik Hoxhalli, Oriana Kamberi, Ermir Hoxha. Në njoftimin e zyrës së shtypit theksohet se "dosjet e tyre janë më të plotësuarat sipas kritereve të kërkuara, në përputhje me natyrën, vendin e punës dhe kërkesat specifike që GKA ka në këtë periudhë të zhvillimit të saj dinamik". Fituesit do të atashohen pranë sektorëve të specializuar të GKA-së për një periudhë 5-mujore gjatë vitit 2009.