Vrau vjehrrin për pajtimin
Trazhgim Sokolaj
Autori i vrasjes së trefishtë në familjen Gjoni në Tiranë tri ditë më parë, Petrit Zaimi, kishte shkuar në shtëpinë e vjehrrit për pajtim. Megjithatë duket se diçka nuk ka shkuar mirë dhe në këtë kohë emigranti 40-vjeçar ka nxjerrë armën tip pistoletë dhe në gjaknxehtësi ka qëlluar mbi Azbi Gjonin, 79 vjeç, duke i marrë jetën e më pas duke qëlluar edhe mbi vjehrrën, Nadire Gjoni, të cilën e plagosi rëndë me armë zjarri. Grupi hetimor i policisë ka marrë në pyetje të premten në orët e mbrëmjes dhe dje gjatë ditës, bashkëshorten e Petrit Zaimit, e cila ishte divorcuar prej disa muajsh nga autori i ngjarjes. Policia deklaroi zyrtarisht se shkak për krimin e rëndë, ku humbi jetën edhe djali 13-vjeçar Klevis Zaimi, ka qenë pikërisht divorci i emigrantit Petrit Zaimi me vajzën e Azbi Gjonit, me të cilën kishte dy fëmijë. Sipas burimeve të policisë, mësohet se arma e zjarrit, e cila është përdorur në kryerjen e krimit, mbahej pa leje nga Petrit Zaimi, i cili në mënyrë të vazhdueshme dyshohet se e ka përdorur atë për të bërë presion ndaj familjes së bashkëshortes, nga e cila ishte ndarë. Megjithatë të paktën sipas deklarimeve të gruas së emigrantit Petrit Zaimi, ajo dhe i shoqi nuk kishin shkuar mirë, edhe pse 40-vjeçari nuk kishte qenë i dhunshëm ndaj saj. Gjërat duket se ishin përkeqësuar më shumë pas divorcit, për të cilin emigranti i kthyer nga Greqia një javë më parë nuk ka reaguar mirë. Sipas dëshmisë së gruas së Petrit Zaimit, por edhe nga thëniet e personave të tjerë, 40-vjeçari ishte nisur mëngjesin e së premtes nga shtëpia e prindërve të tij në jug të vendit për të ardhur në Tiranë. Ai ka marrë me vete edhe djalin Klevis Zaimi, siç thonë dëshmitarët për policinë, pasi kishte komunikuar me familjen e gruas për një mundësi pajtimi për t’i dhënë fund divorcit. Por gjërat duket se nuk kanë shkuar mirë pas mbërritjes së Petrit Zaimit në banesën e vjehrrit të tij Azbi Gjoni, në Allias. Komunikimi është tendosur dhe më pas dhëndri ka nxjerrë armën, duke qëlluar fillimisht mbi vjehrrin, i cili është përpjekur t’u shpëtojë plumbave duke lëvizur drejt ballkonit. Dhëndri e ka ndjekur viktimën dhe në këtë kohë, për shkak të lëvizjes së armës që vazhdonte të qëllonte, ka ndodhur edhe plagosja në këmbë e djalit 13-vjeçar Klevis Zaimi, që kishte parë skenën e rëndë të ndodhur me babanë dhe gjyshin e tij. Më pas është plagosur rëndë edhe Nadire Gjoni, në një kohë kur Petrit Zaimi ndodhej në gjendje të rëndë psikike, pasi kishte kuptuar se kishte plagosur djalin. Në fund, emigranti ka vendosur armën në grykë duke qëlluar edhe veten, për të mbyllur në mënyrë tragjike ngjarjen e rëndë të ndodhur në familjen Gjoni, e cila banonte me qira në Allias të kryeqytetit.
“S’ka autor për vrasjen e trefishtë”
TIRANE – Policia po vazhdon hetimet për të mësuar rrethanat e qarta dhe shkaqet e vrasjes së Azbi Gjonit, nipit të tij Klevis Zaimi dhe plagosjen e rëndë të vjehrrës së Petrit Zaimit, ndërsa dosja penale për këtë ngjarje të rëndë është e destinuar të mbyllet. “Pas dokumentimit të ngjarjes, procedimi penal pritet të pushohet nëse persona të tjerë nuk janë të implikuar, pasi ligji shqiptar parashikon se për çfarëdo krimi, në rast se rezulton se autori ka vdekur, dhe kjo provohet me verifikimet shkencore, atëherë dosja penale mbyllet pasi ushtrimi i ndjekjes penale është i pamundur”, thanë burimet, duke shtuar se kjo procedurë do të ndiqet edhe me dosjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Allias të kryeqytetit tri ditë më parë.