La Liga, 90 minutat e fundit për fituesin
Mungojnë vetëm 90 minuta nga fundi i La Ligas. Sot, Barcelona dhe Reali i Madridit do të zbresin në fushë për të përcaktuar fituesen e titullit kampion në Spanjë. Katalanët presin në fushën e tyre Vajadolidin, ndërsa “merengues” luajnë në transfertën me Malagan. Sido që të përfundojë kampionati, aktiviteti i këtij viti do të regjistrojë një rekord: pavarësisht emrit të fituesit, kampionia e ardhshme në gadishullin Iberik do ta mbyllë sezonin me të paktën 98 pikë, duke thyer rekordin e mëparshëm që mbahej nga Reali (92 pikë në sezonin 1998-‘99). Për të fituar titullin, madrilenët duhet të fitojnë në fushën e Malagas dhe të shpresojnë se Vajadolidi do të marrë tri pikët në tempullin e Barçës, “Kamp Nou”. Dy skuadrat janë paraqitur në nivele shumë të larta dhe loja e tyre ka ngritur shumë pikëpyetje rreth kualitetit të klubeve të tjera. Asnjë ekip nuk ka arritur të mbajë ritmin e tyre: aktualisht, Valencia e vendit të tretë ka plot 27 pikë më pak se Barcelona. Deri më tani, skuadra e Pep Guardiolës ka humbur vetëm një ndeshje, kundër Atletikos së Madridit, ndërsa të besuarit e Pelegrinit kanë bërë katër hapa falsë. Në anën tjetër, Reali i Madridit i ka fituar të gjitha ndeshjet e fazës së dytë, përveç përballjes direkte me “blaugranat”.
Ndërkohë, nga Spanja vjen deklarata e Lionel Mesit. Vetëm pak orë përpara përcaktimit të ekipit fitues në kampionat, ylli i Barcelonës ka deklaruar se nuk do të luajë kurrë për Realin e Madridit. Për të përditshmen “El Mundo Deportivo”, argjentinasi tha: “E vërteta është se nuk do të luaj për Realin apo për ndonjë klub tjetër. Jam shumë i lumtur te Barcelona dhe do të vazhdoj t’i përfaqësoj këto ngjyra edhe për shumë vite. është e vërtetë që të ardhmes nuk i dihet, por kjo nuk vlen për mua”.
#