E Shtunë, 31 Tetor 2026

Montekarlo, Veber niset nga pole position

Formula 1 Australiani përpara Kubikas, Fetel e Masës. Alonso përplaset, niset nga bokset

Mark Veber, me makinën Red Bull, do të niset nga vendi i parë në garën e sotme të Formula 1, e vlefshme për çmimin e Madh të Monakos. Për skuadrën austriake, ky është “pole position” i gjashtë radhazi në këtë sezon. Përkrah australianit Veber ndodhet Robert Kubika me Renault. Në vijën e dytë të nisjes gjendet Red Bulli tjetër i Sebastian Fetel dhe Ferrari i Felipe Masas. Më pas vijnë me radhë Hemilton (MekLaren), Rosberg (Mercedes), Shumaker (Mercedes), Baton (MekLaren), Barrikelo (Uiliams) e Liuzi (Fors India). “Në xhiron e parë isha mjaft i shpejtë në sektorin e dytë të pistës, ndërsa më pas riparova të gjitha trajektoret dhe bëra një xhiro të pastër. Ishte një kënaqësi ta drejtoja makinën sot (dje) dhe dua të falënderoj skuadrën për punën që ka bërë, por edhe Renaultin (furnizuesin me motorë), që arriti të klasifikonte tri makina në vendet e para. Në garën e Monakos duhet të jesh shumë i saktë dhe jam i lumtur që nisem i pari”, tha Veber.

I zhgënjyeri më i madh i provave zyrtare ishte padyshim piloti tjetër i Ferrarit, Fernando Alonso. Gjatë seksionit të tretë të provave të lira, spanjolli e përplasi makinën me barrierat mbrojtëse të pistës: “kokëkuqja” humbi njërën gomë dhe pësoi dëmtime të konsiderueshme në telajo. Edhe pse mekanikët tentuan të kryenin riparime, kjo ishte e pamundur dhe Alonso nuk mori pjesë në xhirot kualifikuese. Sipas rregullores, nuk lejohet përdorimi i makinës rezervë dhe dy herë kampioni i botës do të drejtojë Ferrarin që goditi pas riparimeve të nevojshme. Ai do ta nisë garën nga “pit lane”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›