E Shtunë, 31 Tetor 2026

La Liga prova zjarri per kryesueset

Kur kanë mbetur nëntë ndeshjet e fundit të La Liga-s spanjolle, gara për titullin është më e nxehtë se kurrë. Java e 30-të e kampionatit spanjoll do të vendosë Realin e Madridit dhe Barcelonën përballë dy testeve mjaft të vështira, ku çdo hap fals mund të kompromentojë ambiciet e tyre për të triumfuar në fund të sezonit.

Reali do të luajë në fushën e baskëve të Osasunas, ndërsa statistikat e viteve të fundit flasin kundër madrilenëve. Në fakt, “merengues” nuk fitojnë prej tre vjetësh në “Reyno de Navarra”, ku kanë barazuar një herë, ndërsa në dy raste kanë dalë të mposhtur nga fusha. 

Sikur të mos mjaftonin statistikat, skuadra e Zhoze Murinjos ka udhëtuar drejt Pamplonës me një skuadër të përgjysmuar, pasi Kheidira i është shtuar mungesave të të dëmtuarve Lasana Diarra e Karvajo dhe të pezulluarit Pepe. Ndërkohë, Di Maria rikthehet në skuadër, por sfida bëhet e vështirë edhe nga fakti se Osasuna është në garë të plotë për vendin e tretë, pasi ka 4 pikë më pak se Valencia. 

Në anën tjetër, edhe Barcelonën e prêt një duel shumë i vështirë. Katalanët luajnë në “Kamp Nou” kundër Atletik Bilbaos, skuadra që ka mahnitur Europën me futbollin dhe stilin e saj të lojës dhe Pep Guardiola i ka të gjitha arsyet përse të ndihet i shqetësuar, duke kërkuar nga skuadra përqendrim maksimal. 

Katalanët shpresojnë të ngushtojnë diferencën prej 6 pikësh me Realin kryesues, megjithatë skuadra e Bielsas është një rival i sikletshëm dhe që mund të bëjë surprizën. Këtë Atletik Bilbao e ka treguar në Europa League, ku kanë eliminuar Mançester Junajtid, ndërsa në çerekfinale fituan 4-2 në fushën e Shalkes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›