E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr fund "kontrabanda" e futbollistëve

Prishtinë, 10 gusht - Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nga dita e premte do të ketë kodin e saj në shtëpinë botërore të futbollit (FIFA) për transferimin e lojtarëve. Angazhimi i FFK-së për t'u dhënë fund kalimeve ilegale nga klubet kosovare në ato të rajonit dhe më larg, tashmë është kurorëzuar.

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka thënë të hënën se lojtarët e Kosovës tash e tutje do të trajtohen njësoj si futbollistët tjerë të botës kur ndërrojnë mjedis.

"Një delegacion yni ishte i pranishëm në FIFA në lidhje me sistemin e ri të transferimeve të lojtarëve nga 2 deri më 8 gusht", ka thënë Vokrri. "Lojtarët e Kosovës tash e tutje do të trajtohen njësoj si futbollistët e tjerë të botës kur të ndërrojnë klubet. Edhe kjo është një rrugë që çon në drejtim të pranimit të plotë të FFK-së dhe të klubeve. Në një mënyrë është një pranim, por ne jemi të përkushtuar t'i përmbahemi marrëveshjes që kemi me FIFA-n rreth transferimit të lojtarëve dhe se tash e tutje lojtarët e Kosovës janë të mbrojtur, që është një arritje e madhe në këtë fazë të zhvillimeve".

Në trajnimin e FIFA-s ishte sekretari i përgjithshëm i FFK-së Eroll Salihu bashkë me Artan Govorin, zyrtar për marrëdhënie me jashtë.

Sipas Salihut, 205 shtete anëtare të FIFA-s janë njoftuar se FFK-ja është aktive dhe sipas Salihut çdo kalim i lojtarëve nga Kosova duhet të ketë pëlqimin e FFK-së.

"FIFA tash e tutje do të ketë një sistem të ri i quajtur TMS (sistemi i përputhjeve), sepse do të jetë i digjitalizuar dhe duhet të ketë përputhje të të dhënave për lojtarë nga klubi që blen dhe klubi që e lëshon lojtarin për t'u pranuar nga FIFA. Klubet do ta kenë kodin e tyre të veçantë", ka thënë Salihu. "Kjo do të jetë një punë jashtëzakonisht e vështirë, por tash e tutje jemi të obliguar t'i përmbahemi dhe prej të premtes çdo kalim i lojtarëve nga Kosova duhet të ketë pëlqimin e FFK-së".

Deri më tash Federata ishte e pafuqishme për të ndalur kalimet ilegale, pasi nuk kishte mbështetjen e FIFA-s. Lojtarët përmes menaxherëve të tyre fillimisht regjistroheshin në klubet e rajonit, kryesisht në Shqipëri dhe me atë licencë më pas finalizonin transferimin në klubet ku dëshironin. Më të dëmtuarat nga gjithë ky proces ilegal ishin skuadrat që ngeleshin pa lojtarët e tyre në çdo kohë dhe pa paralajmërim dhe pa përfituar asgjë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›