E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti: “Burgjet të listojnë të dënuarit që e meritojnë të falen”



Tiranë - Presidenti Bamir Topi i dërgon shkresë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që të hartojnë listën me të dënuarit që u takon të përfitojnë nga falja e fundvitit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pohuan dje për gazetën “Albania” se shkresa ka mbërritur pak ditë më parë dhe është shpërndarë në të gjitha burgjet për të bërë gati listat përkatëse. Të njëjtat burime shpjeguan se këto lista mund të bëhen gati deri nga fundi i dhjetorit për t’i dhënë kohë edhe presidentit për vendosur se cili duhet të përfitojë. Të dënuarit minorenë, ata që janë me moshë mbi 60 vjeç si dhe gratë e të dënuarit kanë më shumë mundësi të përfitojnë falje jo vetëm nga festa e 28 Nëntorit, por edhe ato të fundvitit. Ata që kanë kryer krime të rënda nuk kanë dhe “mëshirën” e presidentit. Jo vetëm se i kategorizon kreu i shtetit, por dhe ligji për faljen i përjashton këta të dënuar. Ata që kanë kryer veprat penale të vrasjes, trafikimit të lëndëve narkotike, shfrytëzimin e prostitucionit apo edhe të disa vepra të tjera që rënda nuk do të përzgjidhen në listën e përfituesve. Të burgosurit që pritet të përfitojnë nga falja janë pothuajse nga të gjitha burgjet e vendit. Kryesisht atyre u kanë mbetur dhe pak vite për të vuajtur dënimin e plotë të dhënë nga gjykata. Specialistët përzgjedhin vetëm ato persona që nuk kanë kryer vepra të rënda penale dhe që kanë pasur sjellje të mirë në burg. Në listë, ashtu si herët e tjera, vihet re se numri i të dënuarve që mund të përfitojnë përsëri është shumë i vogël. Për momentin, shkresa është shpërndarë në të gjitha burgjet. Drejtuesit e këtyre burgjeve kanë marrë urdhër që të grumbullojnë materialin e duhur për gjithsecilin. Më pas do të ndikojë dhe ky material për të vendosur nëse këta emra do të qëndrojnë në listën e faljes, apo jo. Ndërkaq mësohet se burgjet ende nuk i kanë dorëzuar të gjitha materialet. Në momentin që do të mbarojë kjo procedurë, atëherë u mbeten dhe pak ditë specialistëve të Presidencës për t’i dhënë këshillat e fundit presidentit se kush duhet të qëndrojë në listë.

28 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›