Përplas djalin 40 ditësh, pranga babait
KORÇE - Grindja ndërmjet dy bashkëshortëve arrin kulmin, aq sa babai humb durimin duke përplasur me sa fuqi kishte djalin e tij vetëm 40 ditësh. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në fshatin Libonik të Korçës. Mësohet se grindja e dy bashkëshortëve dhe nervozizmi i tepruar i burrit është shkarkuar mbi fëmijën e tyre, i cili ndodhet në spital në rrezik për jetën. Sipas policisë, autori i kësaj ngjarjeje, 33-vjeçari Fredi Saliu është arrestuar me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje. Në gjaknxehtësi, pasi ka qëlluar më parë bashkëshorten e tij, Valentina Saliu, ai ia ka marrë fëmijën asaj nga krahët duke e përplasur në tokë. Kur pa se foshnja nuk po reagonte më, i trembur është larguar nga shtëpia për t’i shpëtuar policisë. “Një grindje familjare mes Fredi Saliut dhe gruas së tij Valentina që në orët e para të ditës së djeshme është pasuar me dhunimin e djalit të tyre të vogël Xh. S., foshnje 40-ditëshe”, bëri të ditur policia. Pa kontrolluar veten, Saliu e ka përplasur me inat të voglin në mes të dhomës së tyre të gjumit. Menjëherë fëmija është çuar në Spitalin e Pediatrisë në Korçë, ku edhe pas ndihmës së mjekëve rezulton të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. Mjekët nuk shprehen qartë nëse i ka shpëtuar rrezikut për humbjen e jetës, por paralajmërojnë se edhe nëse arrin të mbijetojë, fëmija mund të mbetet me pasoja në sistemin nervor. Pas sinjalizimit të dhënë nga spitali, policia mbërriti në vend dhe nisi hetimet, ndërsa arrestoi disa orë më pas 33-vjeçarin. Ky i fundit ka pranuar krimin duke pohuar se kishte humbur kontrollin, teksa po dhunonte të shoqen në shtëpi. Mësohet se fëmija 40 ditësh ka pësuar dëmtime të rënda në kokë. j.gj