E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debaton në rrugë, e rrahin dhe i djegin makinën

DURRËS/ Një 38-vjeçar ka mbetur viktimë e dhunës së ushtruar në rrugë prej tre personave të panjohur prej tij

DURRËS - Ka qenë duke ecur rrugës me makinë, por është ndalur nga tre persona të pamaskuar, të cilët pas një debati të shkurtër e kanë nxjerrë nga automjeti, e kanë rrahur, i kanë vënë flakën makinës së tij dhe më pas janë larguar nga vendngjarja pa asnjë problem.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:10 të së hënës, në rrugën automobilistike Plepa-Tiranë, teksa ende nuk dihen arsyet e një sjelljeje të tillë të dhunuesve ndaj 38-vjeçarit nga fshati Hardhishtë e rrethit të Durrësit. Ndërkohë, vetë i dëmtuari nuk ka mundur të zbardhë asgjë lidhur me ngjarjen.

Dhunimi

Burime nga policia bëjnë të ditur se incidenti ende i pazbuluar për shkaqet e tij ka ndodhur në kthesat e fshtati Arapaj në Durrës, në rrugën automobilistike Plepa-Tiranë. Ka qenë ora rreth 18:10, kur 38-vjeçari A.P. ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi të ulët në këtë aks, në anë të rrugës.

Në këtë kohë ai është ndalur nga tre personat dhe mes tyre ka lindur një grindje, për shkaqe ende të panjohura. Pas këtij debati të shkurtër, tre personat e kanë qëlluar 38-vjeçarin A.P. me sende të forta në trup, duke i shkaktuar plagë.

Gjithsesi, nuk janë mjaftuar me kaq. Ata kanë marrë lëndë djegëse dhe i kanë vënë flakën automjetit tip "Benz 200" me targa DR 9139 D, pronë e shtetasit nga fshati Hardhishtë. Pas kësaj ata janë larguar.

Policia

Informacioni për ngjarjen e ndodhur është marrë nga drejtues mjetesh që në atë kohë po kalonin në këtë aks rrugor dhe që kanë njoftuar policinë. Ata kanë treguar lidhur me dhunën që po ushtrohej mbi një shtetas, si dhe për marrjen flakë të makinës në anë të rrugës. Si rrjedhojë, uniformat blu kanë mbërritur pranë fshatit Arapaj, ndërsa i dëmtuari është dërguar për në spital, ku dhe ka marrë mjekimin e duhur.

I pyetur lidhur me ngjarjen ai ka deklaruar se personat i kishin bërë shenjë të ndalonte teksa ecte dhe e kishin akuzuar se po i provokonte, ndërsa më pas e kanë goditur dhe i kanë vënë flakën automjetit. 38-vjeçari ka deklaruar se nuk i njihte personat që e kishin goditur, pavarësisht se nuk i kishin fytyrat e mbuluara, si dhe është shprehur se nuk ka pasur ndonjë konflikt që mund të çonte në një hakmarrje të tillë ndaj tij.

dërkohë, hetimet e para janë përqendruar në ndonjë borxh parash që mund të ketë pasur i dëmtuari dhe ku si hakmarrje është organizuar një skenë e tillë, gjoja debat që më pas ka degjeneruar në rrahje dhe djegie të automjetit, ose edhe në ndonjë konflikt të mëparshëm.

Gjithsesi, deri më tani, veprimet e tre personave, të cilët pritet të identifikohen nga vetë i dëmtuari, si dhe nga dëshmitarët okularë, nuk kanë një motiv. Vetë 38-vjeçari është larguar në banesën e tij pas marrjes së mjekimit në spital.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›