Laçi: Pretendimi i Adës pa bazë, Partizani luajti sipas rregullave
Partizani po i gëzohet tre pikëve dhe unë si një drejtues, falënderoj të gjithë tifozët e pranishëm në Velipojë, që kanë qenë lojtari i 12-të në fushë. Ashtu siç i kam premtuar edhe më parë, i them se ky është vetëm një fillim i gjatë për një rrugë të gjatë e vështirë, që do të kurorëzohet me kalimin në Superiore
Partizani e ka nisur sezonin e ri në Kategorinë e Parë në mënyrë më të mirë të mundshme, pasi në transfertën e Velipojës kanë marrë tripikëshin e parë. Të kuqtë e trajnerit Nikolin Çoçlli ishin përgatitur për një fillim pozitiv në sfidën me Adën. Në fund kanë qenë demat e kuq ata që kanë gëzuar, ndërsa velipojakët kanë shpërthyer në akuza dhe kontestime ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
Drejtuesit e Adës bënë edhe një deklaratë publike, ku akuzonin federatën, që ka lejuar Partizanin të luaj pa dokumentacionin e duhur, pasi të kuqtë u paraqiten në Velipojë pa kartela federimi, por vetëm me një listë të firmosur nga zyrtarët e FSHF-së. Drejtuesit e Adës e konsiderojnë si pabarazi këtë mënyrë trajtimi, prandaj ata mendojnë edhe tërheqjen nga aktiviteti.
Por dje ka ardhur edhe reagimi i njërit prej drejtuesve të Partizanit, Paro Laçi, i cili në një deklaratë për mediat sqaron se pretendimet e drejtuesve të Adës janë të kota, pasi të kuqtë kanë luajtur sipas të gjitha rregullave. Dua të informoj të gjithë opinion sportiv në Shqipëri, se Partizani në ndeshjen e së shtunës, që ka zhvilluar ndaj Adës ka luajtur në bazë të rregullave të vendosura nga UEFA dhe Federata Shqiptare e Futbollit.
Më duket i tepërt pretendimi i drejtuesve të Adës së Velipojës në lidhje me federimin e futbollistëve tanë, pasi një gjë e tillë është bërë në bazë të të gjitha rregullave. Ajo që dua të them është se një pjesë e lojtarëve të Partizanit kanë arritur akordin dhe kanë firmosur kontratat e tyre rreth një muaj më parë, megjithatë ne nuk kemi bërë asgjë publike.
Ndërkohë që federata mund të bëjë federime edhe në orët, minutat, apo edhe sekondat e fundit që e lejon rregullorja e saj. Partizani ishte një nga skuadrat që federoi skuadrën pikërisht në këto momente dhe luajti pa asnjë problem në këtë ndeshje, – sqaron së pari aksionari i të kuqve, Paro Laçi
Penalltia dhe kartoni i kuq Përpos pretendimeve që kishin të bënin me parregullsitë në federime një mllef të madh velipojakët kanë pasur edhe ndaj gjykimit, ku në fund është tentuar edhe konfrontimi me gjyqtarin kryesor, me pretekstin se ai nuk dha dy kartonë të kuq për futbollistët e Partizanit, si dhe i mohoi një 11-metërsh Adës.
Drejtuesi i të kuqve, Paro Laçi, nuk kërkon të merret me këto, pasi, sipas tij, janë gjëra që nuk u takojnë atyre.Ndërsa për pretendimet e klubit velipojak për një penallti të pa dhënë, apo edhe kartona të kuq gjatë takimit, këto janë çështje që nuk na përkasin. Kështu që nuk ia vlen të merrem me këto gjëra- vijon Laçi
Misioni Superligë Për tifozët, drejtuesit, stafin dhe skuadrën e kuqe pak rëndësi ka zhurma e prodhaur nga velipojakët, pasi starti i ka gëzuar të gjithë dhe në këtë mënyrë ata janë në rrugën e duhur për të realizuar misionin Superligë. Aksionari Laçi e shfrytëzoi këtë mundësi për të falendëruar ehde tifozët që e mbështetën ekipin në Velipojë, duke qenë lojtari i 12-të, si dhe u premton atyre se do të realizohet premtimi i dhënë.
Partizani po i gëzohet tre pikëve dhe unë si një drejtues, falënderoj të gjithë tifozët e pranishëm në Velipojë, që kanë qenë lojtari i 12-të në fushë. Ashtu siç i kam premtuar edhe më parë, i them se ky është vetëm një fillim për një rrugë të gjatë e vështirë, që do të kurorëzohet me kalimin në Superiore,- drejtuesi i të kuqve të kryeqytetit, Paro Laçi.
Futbollistët marrin urdhër të rrinë larg mediave
Të kuqtë e kryeqytetit e përfunduan me sukses betejën e parë të një sezoni, që pretendohet fillimi i një epoke të re dhe ndryshe nga ajo që lanë pas. Pas fitores 1-0 me Adën, falë golit të Florian Brahos, morali është i lartë te Partizani, por drejtuesit kanë menduar që të frenojnë euforinë e demave.
Mësohet se drejtuesit i kanë urdhër futbollistët që të mos prononcohen për mediat, pra te Partizani është vendosur heshtja për shtyp. Kjo nismë e drejtuesve është marrë në mënyrë që të frenohet euforia, por edhe për të qëndruar larg zhurmës dhe pretendimeve që solli përfundimi i transfertës së Velipojës.
Të kuqtë sot marrin premion e fitores së parë
Trajneri Nikolin Çoçlli nuk e pati të plotë ekipin, pasi dihet se disa futbollistë janë të dëmtuar, si dhe disa të tjerë me probleme në dokumentacion. Gjithsesi, të kuqtë arritën ta mbyllin e fitore përballjen me Adën. Mësohet se për tripikëshin e marrë në Velipojë të kuqtë do të përfitojnë edhe shpërblimin e drejtuesve.
Nuk dihet se sa do të jetë premio, por ajo pritet që të shpërndahet sot. Në mesditën e sotme, rreth orës 13:00, Partizani nis përgatitjet për sfidën e radhës, seancë e cila do të kryhet në ambientet e ish- kompleksit Dinamo.
