Mbrojtësi mbush 2 shekuj ndeshje me Vorskla Poltava, Januzi i bën dhuratë golin e barazimit 2-2 kundër Dnipros
Goli i Ahmed Januzit i bëri një dhuratë të bukur Armend Dallkut, duke mos lejuar që ndeshja e tij jubilare me Vorskla Poltava të mbyllej me humbje. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare dje luajtu ndeshjen e 200-të në kampionatin ukrainas, ku është aktivizuar vetëm me një skuadër, që pas ikjes nga Elbasani, më 2005.
Vorskla priti në fushën e saj Dnipron e drejtuar nga spanjolli Huande Ramos dhe e pa veten në disavantazh të dy golave, që në pjesën e parë. Takimi po i drejtohej fundit me humbje, por në minutën e 79-të vendasit shkurtuan diferencën. Goli u dha zemër dhe u hodhën të gjithë përpara në kërkim të barazimit, të cilin e arritën tri minuta më pas. Ishte sulmuesi i Shqipërisë, Januzi, ai që mposhti portierin mik dhe balancoi shifrat.
Vorskla kërkoi të merrte fitoren në minutat e mbetura, por në fund u kënaq me pikën e vetme. Barazimi i marrë ishte motiv lumturie për mbrojtësin shqiptar, i cili nuk e fshehu kënaqësinë në përfundim të takimit. Jam shumë i lumtur që e shmangëm humbjen, tha Dallku. Jam i sigurt që tifozët janë të kënaqur me paraqitjen tonë, sidomos duke pasur parasysh faktin që ishim në disavantazh të dy golave.
Në pjesën e dytë, djemtë luajtën të bashkuar dhe dhanë gjithçka në fushë, për tu provuar tifozëve, por edhe vetes, se jemi të aftë të kapërcejmë çdo vështirësi. I falënderoj tifozët dhe do të përpiqemi ti kënaqim edhe në ndeshjet e ardhshme.
Ndërkaq, për Januzin ky ishte goli i dytë në këtë kampionat dhe i pari me vlerë pikësh për skuadrën e tij. Më parë, sulmuesi shqiptar kishte shënuar golin e vetëm të Vorsklës në humbjen 1-4 në fushën e Shahtjor Donjeck. Të dy lojtarët sot do ti bashkohen skuadrës kombëtare, ku janë thirrur nga trajneri Xhani de Biazi për ndeshjet kundër Qipros dhe Zvicrës.
Armend Dallku
Ditëlindja: 16.06.1983
Vendlindja: Prishtinë
Skuadra: Vorskla
Roli: Mbrojtës
Shtatlartësia: 187 cm
Pesha: 82
3
Janë skuadrat e karrierës së Dallkut, Pishtina, Elbasani dhe Vorskla
1
Sezon ka luajtur mbrojtësi në Shqipëri, 2004-2005, me Elbasanin, për të kaluar më pas në Ukrainë
7
Sezone ka luajtur Dallku me Vorsklën, ky aktuali është i teti në futbollin ukrainas
3
Gola ka shënuar mbrojtësi në 200 ndeshjet e tij në kampionatin ukrainas
55
Herë ka luajtur Dallku me kombëtaren, që nga debutimi kundër Ukrainës, më 9 shkurt 2005
1
Gol ka shënuar me kombëtaren, kundër Maltës, më 10 shtator 2008, për eliminatoret e Botërorit 2010
