E Shtunë, 31 Tetor 2026

Finalja e Champions, nga mbrojtja te sulmi

Mancester Junaitid dhe Celsi do të luftojnë për të ngritur trofeun në finalen e parë të gjithën angleze në Ligën e Kampioneve të mërkurën në Moskë. Të dy ekipet kanë në gjirin e tyre disa nga lojtarët më të mirë sulmues, dhe do të jetë e vështirë për mbrojtjet e dy klubeve për të ruajtur të paprekur portën.
MBROJTJA
United dhe Chelsea e përfunduan kampionatin anglez në dy vendet e e para, dhe nuk është koincidencë që ishin edhe skuadrat që pësuan më pak gola, duke pasur edhe në vijën e pasme disa nga mbrojtësit më mirë në botë.
"Red Devils" (Djajtë e kuq) pësuan vetëm 22 gola në 38 ndeshje dhe ata nxorrën nga loja Barcelonën në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve për të mbërritur në Moskë.
Rio Ferdinand, Ues Broun dhe Patrice Evra kanë qënë të fortë gjatë gjithë sezonit, ndërkohë që Ouen Hargreaves mbushi vendin e të dëmtuarit Nemanja Vidic. Edvin Van der Sar ishte solid në portë dhe veterani bëri një tjetër sezon të shkëlqyer, pa y shqetësuar shumë nga presioni i ndeshjeve të mëdha. Ferdinand ishte si një shkemb në mes të mbrojtjes kundër Barcës, dhe i tillë pritet të jetë edhe kundër Chelsea.
Portieri i Chelsea, Petr Cech vlerësohet si një nga portierët më të mirë në botë dhe ai ka plot talent në linjën e pasme. Edhe pse pësoi tre gola në dy ndeshjet gjysmëfinale kundër Liverpulit, të gjithë besojnë se ai do të jetë shumë përcaktues me ndërhyrjet e tij.
Xhon Terri është "spiranca" e mbrojtjes. Edhe pse ai pati një dëmtim në krah në ndeshjen e fundit në kampionat, nuk ka asnjë dyshim se kapiteni i Celsit do të jetë fushë.
Ndërda Terri është një lojtar i fuqishëm me cilësi të dukshme fizike, Rikardo Karvahlo e kompleton atë në qëndër të mbrojtjes si një lojtar me shumë aftësi. Mbrojtësi i majtë Eshli Kol, njihet për inkursionet sulmuese, ndërkohë që menaxheri i Celsit, Avram Grant mund të vendosë Michael Esien në krahun tjetër, për t'i dhënë më shumë forcë mbrojtjes.
Dy ekipet fituan takimet respektive në shtëpitë e tyre: Junaitid fitoi 2-0 në "Old Traford" dhe Celsi fitoi 2-1 në "Stamford Bridge".
SULMI
Me këto cilësi të larta në mbrojtje, duket se goli nuk mund të shënohet kurrë, por dy ekipet kanë sulmues të aftë për të bërë gjëra të jashtëzakonshme individuale për të shënuar e hapur lojën.
Kristiano Ronaldo është një golashënues i lindur. Anësori portugez shihet gjërësisht si lojtari më i mirë në botë pasi shënoi 41 gola në të gjitha kompeticionet, por të mërkurën në mbrëmje ai duhet të tregojë se është ai aftë të bëjë një kapërcim të madh, të kthehet në legjendë.
Ujeni Runi dhe Karlos Tevez janë dy sulmues të talentuar, por duhet parë nëse menaxheri Sër Aleks Ferguson do të vendosë të luajë më të dy, apo do të zgjedhë skemën një sulmues.
Drogba ka qenë shumë i paqëndrueshëm gjatë këtij sezoni, por ai ka bërë ta kujtojnë sesa i rrezikshëm ai mund të jetë duke shënuar dy gola në fitoren e Celsit kundër Liverpulit, që ndihmoi edhe ekipin e tij për të mbërritur në finale.
Mesfushori gjerman Mikael Balak është duke shijaur momentin e tij më të mirë qysh kur ai erdhi te Celsi, duke shënuar të dy golat në fitoren 2-1 kundër "Djajve të kuq" në muajin prill.
Frenk Lampard është kritikuar për lojën e tij të varfër me Anglinë, por ai ka bërë gjëra të jashtëzakonshme për Celsin, dhe së bashku edhe me Balak ata mund të formojnë dyshen më të fuqishme në mesfushë.
Pasi humbi betejën në kampionat, Celsi beson se i ka të gjitha mundësitë për të hedhur poshtë shpresat e Fergusonit për fitimin edhe të Ligës së Kampioneve.
Sulmuesi i Celsit, Nikolas Anelka thotë: "Ne luajmë kundër Mancester Junaitid dhe ne i njohim ata, kështu që do të jetë shumë e vështirë, por unë mendoj se do t'ia arrijmë pasi kemi lojtarë të mëdhenj, të cilët janë të mësuar me këto lloj ndeshjesh. Celsi është një nga ekipet më të mira në botë dhe kur ju shikoni emrat bindeni për këtë".
Ndeshja e së mërkurës vlerësohet si më e rëndësishmja në historinë 103-vjecare të klubit të Roman Abramovicit. Celsi arrin për herë të parë në finale dhe synon njëherësh edhe trofeun më të rëndësishëm për klubet në Europë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›