E Diel, 1 Nëntor 2026

Laçi befason Tomorin, beratasit e kanë më gjykimin

Nga Julian Kasapi

Ndeshja është vendosur nga një 11-metërsh i kthyer në gol nga Trajkoviç, por që është kontestuar fuqishëm nga beratasit 

Tomori – Laçi 0-1

Komenti

Tomori ka thelluar më tej krizën që e ka përfshirë në këtë fillim kampionati, pas humbjes së ditës së djeshme në Lushnjë ndaj Laçit. Beratasit gjatë gjithë takimit e kanë pasur me gjykimin, që, sipas tyre, ishte haptazi në favor të laçianëve. Pavarësisht momenteve të dyshimta, që duhen vlerësuar vetëm pasi të shihet moviola, Tomori nuk po shfaq atë nivel që drejtuesit e kësaj skuadre kishin premtuar në fillim të sezonit.

Pjesa e parë Takimi Tomori – Laçi është zhvilluar në Roza Haxhiu, pasi fusha e stadiumit të Beratit është në rikonstruktim, por edhe nëse do të ishte gati, dënimi i dhënë nga FSHF për shkak të sjelljes së keqe të tifozëve nuk do ta bënte të mundur luajtjen e takimin në qytetit mbi 2000-vjeçar. Ndeshja ka nisur me mbi 15 minuta vonesë, për shkak se nga i deleguari i FSHF-së, Millan Baçi, u kërkua që forcat e rendit të komisariatit të Lushnjës të vinin rregull në tribunën VIP, ku nuk duhet të kishte më shumë sesa 10 përfaqësues për çdo klub dhe gazetarët.

Pasi është plotësuar kjo pikë e rregullores, takimi ka nisur i vakët në minutat e para edhe për shkak se terreni i fushës së Roza Haxhiut ka qenë tepër i rënduar nga shirat e një dite më parë. Në minutat e para skuadrat kërkojnë të studiojnë njëra-tjetrën. Shkëndijën e parë e japin beratasit, të cilët i afrohen shumë portës kundërshtare, por pa mundur të shënojnë.

Megjithatë, laçianët kanë synime të qarta dhe sulmojnë rrallë, por fuqishëm dhe rrezikshëm. Beratasit gjejnë shkak për të kontestuar gjykimin, pasi në disa faulle të thjeshta kryesori Masha ka nxjerrë nga xhepi kartonin e verdhë, ndërsa ndërhyrjet e rënda të laçianëve kaloheshin me lehtësi.

Vjen momenti kyç i takimit, kur në zonën beratase hyjnë dy futbollistë, Trajkoviç dhe Dragiçeviç, të cilët ishin më të përparuar dhe, për çudinë e të gjithëve, nuk ka ngritje flamuri nga anësori, por vijon takimi. Del portieri Kuka dhe ka 11-metërsh, pasi rrëzohet në zonë një prej laçianëve.

Realizon nga pika e bardhë Trajkoviç, gol që do të rezultonte deciziv për marrjen e tri pikëve nga miqtë. Në minutat e mbetura të kësaj pjesë, beratasit nuk arrijnë të barazojnë, ndaj janë të detyruar të shkojnë në dhomat e zhveshjes në disavantazh.

Pjesa e dytë Tomori nuk mund të pajtohet me rezultatin e pjesës së parë, kështu që futet me pretendime në fraksionin e dytë. Edhe pse kërkojnë të reagojnë, beratasit, nuk kanë shumë mundësi të shkojnë e të gjejnë rrjetën. Çaushaj është i shkëputur nga Mile dhe të dy veprojnë për hesap të tyre. Aksionet e beratasve, edhe pse janë të shumta, rrallëherë janë të rrezikshme. Mungon përqendrimi dhe finalizimi me gjuajtje.

Këto probleme u shfaqën edhe në pjesën e parë, por nuk u rregulluan në të dytën. Futbollistët e Tomorit nuk ishin në lartësinë e duhur për të mundur një kundërshtar të mirorganizuar si Laçi. Skuadra kurbinase në minutat e mbetura u tërhoq për të ruajtur rezultatin, duke u bazuar te kundërsulmet. Edhe pse Memushi përdori tri forca të reja, takimi përfundoi me golin e vetëm të shënuar me 11-metërsh në minutën e 28-të nga Trajkoviç.

Në të paktën dy raste beratasit goditën shtyllën pingule dhe traversën, pa arritur te rrjeta. Pas përfundimit të takimit, të gjithë beratasit e kanë pasur me gjykimin, aq sa një grup tifozësh u konfrontua dhe me forcat e rendit. Tomori vijon të notojë në ujëra të turbullta në fundit e tabelës, ndërsa Laçi ka marrë një tripikësh me shumë vlera përballë, pse jo, një rivali direkt sa u përket objektivave sezonale.

Memushi: Gjykimi ishte jo i drejtë

Sikurse i gjithë kampi beratas që ndodhej në Lushnjë, edhe trajneri Memushi ia faturon gjykimit humbjen: E pamë të gjithë atë që ka bërë sot gjykimi jo i drejtë. Jam shumë i indinjuar për këto gjëra me arbitrin. Na jepet një penallti e paqenë kundër dhe nuk jepen rastet flagrante për ne. Megjithatë, kjo është pjesë tjetër.

Mendoj se skuadra bëri gjithçka që mundi, dhe kjo u duk në pjesën e dytë të lojës, kur nuk mundëm të shënonim edhe për shkak të fatit, pasi patëm një shtyllë e një traversë. Megjithatë, me qetësi do të shohim punën tonë, pasi skuadra vjen pas shumë problemesh. Paraqitja e sotme më kënaqi, pavarësisht se patëm mundësi të shënonim dhe nuk i shfrytëzuam rastet.

Dede: Fitore krejtësisht e merituar

Ndryshe nga kolegu i tij vlonjat, që drejton Tomorin, Nevil Dede, trajner i Laçit, përgëzon skuadrën e tij për këtë fitore, sipas tij më se të merituar. Ai nuk harron të ngrejë shqetësimin për kushtet e këqija të fushës së Roza Haxhiut: Është për të ardhur keq që skuadrat luajtën në këto kushte atmosferike dhe në një fushë të dëmtuar. Skuadra ime bëri gjithçka për këtë tripikësh, të cilin e merituam totalisht.

Besoj se jemi në rrugë të mbarë. Në pjesën e dytë normalisht që lëshuam më shumë terren, për të ruajtur rezultatin, dhe ia arritëm kësaj gjëje. Mos harroni që ishim me 10 lojtarë dhe normalisht në të tilla kushte është normale të mbrohesh. Iu uroj gjithë të mirat kundërshtarëve.

Tifozët beratas konfrontohen me policinë

Një grup tifozash të ardhur nga Berati dhe që e panë ndeshjen pas hekurave të stadiumit Roza Haxhiu janë konfrontuar me policinë e Lushnjës, pasi në përfundim të takimit donin tu kërkonin llogari gjyqtarëve. Policia ka vepruar, duke i shpërndarë me forcë tifozët e grumbulluar. Madje disa prej tyre janë shoqëruar në komisariat. Tifozët ishin të irrituar për shkak të gjykimit të njëanshëm, sipas tyre, të takimit nga gjyqtari Migen Masha dhe ndihmësit e tij.

Takimi nis me vonesë, pastrohet tribuna

Ndeshja e djeshme në Lushnjë ka nisur rreth 15 minuta me vonesë, pasi klubet përkatëse nuk zbatuan rregulloren e FSHF-së, ku nuk duhej të ishin më shumë 10 përfaqësues për klub në tribunë, ndërkohë që ndodheshin më shumë, madje mund të themi se ishin dyfishi. Pasi është reduktuar në numrin e kërkuar nga të deleguarit e FSHF-së, vetëm atëherë është bërë e mundur nisja e takimit, që është luajtur pa praninë e tifozëve, pasi beratasit janë të dënuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›