E Diel, 1 Nëntor 2026

Rubio nuk ngopet: Mundim Vllazninë dhe blindojmë kreun

Nga ERJON SALIU

Mes batutave dhe optimizmit, trajneri i bardhebluve Hulian Rubio, nuk i ka frikë shkodranët, do vetëm tri pikët sot në Loro Boriçi

Trajneri spanjoll i Tiranës, Hulian Rubio Sançez, i kërkon skuadrës së tij që edhe sot në Shkodër të mos ndalet, por të marrë fitoren e radhës, çka do të ishte me të vërtetë një hap i rëndësishëm drejt titullit kampion. Rubio vlerëson skuadrën kundërshtare, por edhe dyshen e sulmit Sukaj-Vajushi, megjithatë ai të tijtë që sipas spanjollit po gëzojnë një formë të mirë dhe vështirë se mund ti ndalë kush nga ekipet e superligës.

Në prag të ndeshjes së sotme që do të zhvillohet në orën 16:00 në stadiumin Loro Boriçi, spanjolli Rubio e deklaron hapur se do të synojë tri pikët: E di që sa herë ndeshet Tirana me Vllazninë apo anasjelltas ka interes nga të gjithë. Për mua si trajner të gjitha ndeshjet janë njësoj, unë dua që të marrim tri pikët, ndërsa për tifozët dhe njerëzit e jashtëm është ndryshe, pasi duan spektakël.

Ne do të futemi për të fituar edhe ndaj Vllaznisë, pavarësisht se luajmë në stadiumin e Shkodrës. Unë si trajner i Tiranës shoh vetëm 11 kundër 11-ve. E di që Vllaznia ka një sulm shumë të mirë, me dy lojtarë cilësorë, si Sukaj dhe Vajushi, por ne do të mundohemi që ata të mos i afrohen portës sonë. Nuk kam ndonjë strategji fikse, por i kam porositur lojtarët që të mos e lejojnë kundërshtarin ti afrohet portës sonë.

Gjatë lojës parashikohen surpriza, kështu që edhe strategjitë ndryshojnë. Mezi pres që të luajmë ndaj Vllaznisë, kam shumë besim tek lojtarët e mi dhe mbi të gjitha kam shumë besim se gjithë mundi që kemi derdhur në stërvitje nuk do të shkojë dëm. Pastaj se sa do ta realizojmë, do të duket pas ndeshjes, – pohoi fillimisht trajneri Rubio.

Formacioni Lidhur me ndonjë ndryshim, nëse do të ketë apo jo në 11-shen e sotme, trajneri Rubio nuk dha asnjë detaj, por siguroi se do të ketë ndryshime në formacion të cilat do të zbardhen vetëm kur skuadra të hyjë në fushë: Zakonisht nuk i përsëris skemat e lojës dhe i ndryshoj formacionet dhe lojtarët që hedh në fushë.

Madje skemat i ndryshoj në varësi të rrjedhë së lojës, sepse nuk dihen të papriturat që na sjell një ndeshje që nga minuta e parë e deri në të fundit. Sapo fillon e lëviz topi, nuk ka më skema, por ka taktikë. Kurse lidhur me aktivizimin e Balës apo të Morinës që nga minuta e parë, nuk mund të përgjigjem këtu, këtë do e shihni sapo të fillojë ndeshja.

Klima Vijmë në këtë ndeshje pas pesë fitoreve radhazi. E kam fjalën këtu jo vetëm për tri ndeshjet e kampionatit, por edhe dy të kupës me Himarën. Pavarësisht se fituam ndaj një kundërshtari modest, kjo na ndihmoi shumë, sepse sa më shumë ndeshje fiton, aq më shumë rritet besimi në vetvete. Nuk bëhet fjalë që të ketë vend për eufori te Tirana, por edhe tek unë si trajner.

Është vetëm fillimi i kampionatit, kështu që nuk duhet të dorëzohemi qoftë me një humbje që kemi pësuar në javën e parë, ashtu edhe me tri fitore që kemi bërë. Gara është e gjatë dhe ne duhet të bëjmë shumë kujdes. Unë tani e njoh më mirë Tiranën, edhe pse kur erdha nuk kisha dijeni fare qoftë për skuadrën, ashtu edhe për kampionatin.E dija që do të vija në një kampionat ku fituesi e titullit ndryshonin çdo vit, por edhe nuk do të mungonte konkurrenca. Momentalisht jam i kënaqur me lojtarët që kam në dispozicion dhe qëllimi im është që të marr më të mirën prej tyre.

Respekti për G.Muçën Sot në Shkodër, trajneri Rubio do të gjejë një lojtar të cilin e ka stërvitur për më shumë se dy muaj te Tirana. Fjala është për mesfushorin shkatërrues, Gentian Muça. Rubio, edhe pse do ta ketë kundërshtar, nuk i kursen elozhet për Muçën:

E di që në ndeshjen me Vllazninë do të kem kundërshtar edhe një ish-lojtar që kam stërvitur, Gentian Muçën, një futbollist shumë i mirë dhe mbi të gjitha një djalë shumë i sjellshëm. Ai gjatë kohës që ka qenë këtu jo vetëm që është sjellë shumë mirë, por ka qenë një djal korrekt në marrëdhëniet brenda dhe jashtë fushës me të gjithë. Jam shumë i gëzuar që do ta takoj dhe do përshëndetemi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›