E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlonjatët bëjnë detyrën në shtëpi qysh në pjesën e parë

Nga ELTON NIKA

Grupi B

Flamurtari      9 pikë 6-2

Kamza                        5 pikë 3-4

Pogradeci       4 pikë 4-6

Teuta              3 pikë 1-2

 

Golat e shënuar brenda 39 minutave të të gjithë takimit e sigurojnë Flamurtarin për të fituar takimin


Flamurtari – Pogradeci  3-0

Shënues: Begaj 13, Veliu 17, Shehaj 39

Flamurtari: Spaho, Brahja, Veliu (Rajovic 61), Sakaj, Begaj, Progni, Arbri, Telushi, Kuqi, Shehaj (Beqiri 69), Hysa (Idrizi 40). Trajner: E. Lutaj

Karton të verdhë: Arbri

Pogradeci: Hoxha, Pere (Kllogjeri 46), Drazhanin, Larti, Binishi, Elmazi, Jahaj, Baze (Çipi 60), Çela, Saviç (Çekici 73), Eminhazeri. Trajner: Y. Çekiçi.

Gjyqtarë: A. Kamberaj, F. Lamçe, M. Rrapaj (Patos)

Flamurtari siguron pothuajse kalimin në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Fitorja përballë Pogradecit bën që vlonjatët të konsolidojnë kreun e renditjes, duke marrë shkas nga ndeshja tjetër e grupit dhe rezultati i arritur në të sjell që Flamurtari të mendojë i qetë për më tej. Mbeten dhe dy takime në kupë, ku Flamurtari në njërën prej tyre do të luajë në shtëpi përballë Kamzës, ndaj duket se tashmë gjithçka është zgjidhur.

Takimin me Pogradecin, vlonjatët e kanë zgjidhur qysh në pjesën e parë. Pavarësisht disa ndryshimeve në formacion, Lutaj ka kërkuar nga ekipi i tij veç fitoren, e cila është arritur me lojë të bukur. Numri i sportdashësve në shkallët e stadiumit ka qenë mjaft i paktë, megjithatë, kjo nuk i ka penguar futbollistët të tregojnë dëshirë për lojë dhe për të shënuar. Kanë mjaftuar vetëm 13 minuta dhe sulmi i ekipit vlonjat ka funksionuar, kur Progni shërben saktë për Begajn që përballë portierit ka hapur serinë e golave për Flamurtarin.

Vetëm katër minuta më vonë, Franc Veliu me një inkursion të nisur nga qendra e mbrojtjes, shënon golin e dytë për vendasit. Veliu ka treguar se jo vetëm mund ti besohet mbrojtja, por ka treguar edhe vlerat e tij si golashënues. 2-0 për Flamurtarin pa u mbyllur 20 minuta lojë dhe natyrisht ritmi sulmues bie ndjeshëm. Vlonjatët kërkojnë të administrojnë situatën dhe të shohin më rrallë nga porta kundërshtare.

Në minutën e 39-të sërish Progni, me një top të gjatë dhe të saktë, nxjerr përpara portierit sulmesin Shehaj, që nuk e ka të vështirë të shënojë golin e tretë. Rasti i vetëm për Pogradecin i takon në këtë pjesë sulmuesit Eminhazeri, i cili përballë portierit në fund të 45 minutave të para godet jashtë. Me nisjen e pjesës së dytë, Pogradeci bën ndryshimin e parë dhe loja e miqve nis të ndryshojë.

Fillimisht portieri Spaho i thotë jo golit pas një goditjeje të Elmazit, pas disa minutave Saviç i vetëm përballë portierit gjuan me kokë, por Spaho tregon aftësitë e tij. Krejt takimi mbyllet me fitoren e Flamurtarit, që ngjitet tashmë në kuotën e 9 pikëve dhe kthen vëmendjen nga kampionati, ndërsa Pogradeci duhet ende të luftojë me ekipet e tjera për vendin që siguron kualifikimin në grupin B.

Thanë pas ndeshjes:

Edmond Lutaj, trajner i Flamurtarit: Një fitore plotësisht e merituar, të cilën e zgjidhëm qysh në pjesën e parë, megjithatë mendoj se mund dhe duhet të kishim shënuar më shumë. Lamë pushim disa nga futbollistët që na duhen për kampionatin. Tashmë të largojmë mendjen nga kupa dhe të mendojmë veç për kampionatin, pasi ditën e diel luajmë një ndeshje të vështirë përballë Dinamos. Është takim ku duhet të kthehemi dhe të kërkojmë fitoren edhe në kampionat, por kujdes, Dinamo është skuadra që mund të bëjë surpriza, ndaj na duhet shumë kujdes për të arritur fitoren në kampionat.

Ylli Çekiçi, trajner i Pogradecit: Kemi humbur vetëm një ndeshje, por kemi ende mundësi për të kaluar më tej. Do të shohim takimet e tjera në këtë kompeticion.  Flamurtari për mua ishte ekipi më i fortë i grupit dhe ashtu po rezulton, ndaj kjo humbje nuk ndryshon asgjë për Pogradecin për të kërkuar kualifikimin. Mendoj se kemi ende rrugë për të bërë, por tashmë të shohim nga kampionati, ku ekipi po ecën mirë, por duhet të vijojmë në këtë rrugë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›