E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lacio Cana mendon largimin

Lorik Cana nuk e përjashton hipotezën e një largimi të mundshëm në fund të sezonit nga Lacio. Ndeshjet e pakta që mesfushori shqiptar ka luajtur dhe problemet e shpeshta fizike, mund ta shtyjnë kuqeziun ti japë lamtumirën e parakohëshme ekipit të Serisë A.
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, ka nënvijëzuar se nëse nuk luan rregullisht në skuadrën romane në këto ndeshje të mbetura të sezonit, mund të largohet nga Lacio, ku u transferua gjatë verës së kaluar.
“Nëse nuk luaj rregullisht në këtë pjesë të fundit të kampionatit nuk e përjashtoj mundësinë e një largimi në fund të sezonit nga Lacio”, është shprehur Cana. “Eksperiencën në klubin bardhkaltër mund ta cilësoj si positive, edhe pse dëmtimet më kanë penguar të paraqitem në maksimumin tim. Megjithatë, pavarësisht të gjithave, këtu në Romë po përjetoj një periudhë mjaft të bukur”, ka thënë 28-vjeçari.
Në rast se vendos të largohet përfundimisht nga Lacio, kjo do të jetë skuadra e katërt që Lorik Cana ndërron në katër sezonet e fundit. Pas largimit nga Marseja, ai ka luajtur te Sandërlendi në Angli dhe Gallatasarai në Turqi, ndërsa disa muaj më parë është përfolur për një interesim të skuadrës së Didië Deshamp, për ta rikthyer në stadiumin “Velodrom”.
Ndërkohë, Cana duket plotësisht i rikuperuar nga dëmtimi në shpinë dhe pritet që ai të grumbullohet për sfidën e fundjavës, ku Lacio do të presë në shtëpi Kaljarin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›