Nejmar eshte i Barces qe nga 2014

Kjo shifër e derdhur është e barazvlefshme me çerekun e vlerës totale, që klubet duket se kanë rënë dakord për të realizuar këtë transferim, që në total është 58 milionë euro. Pagesa duket se është bërë në fundin e vitit 2011, ndërsa ajo ka shërbyer si garanci për realizimin e marrëveshjes në të ardhmen.
“Sipas burimeve të sigurta, Barça ka paguar një të katërtën e shifrës prej 58 milionë eurosh që Santosi pretendonte, për të siguruar blerjen e Nejmar”, shkruhej në faqen e internetit të emitentit radiofonik.
“Cadena Ser” shtonte se Nejmar pritet të transferohet në “Kamp Nou” pas Botërorit 2014 që do të zhvillohet në Brazil, megjithatë nuk përjashtohet që lëvizja të kryhet edhe një vit më parë.
20-vjeçari Nejmar është një prej yjeve më të spikatur të futbollit brazilian dhe për shërbimet e tij janë interesuar disa prej klubeve më të mëdha europiane, mes të cilave edhe Reali i Madridit. Megjithatë, Barcelona duket një zgjedhje e vetë sulmuesit, i cili asnjëherë nuk e ka fshehur admirimin për “blaugranat” dhe yllin e tyre Lionel Mesin, nga të cilët mori një leksion të vërtetë futbolli në finalen e Botërorit për klube.