Maqedoni, UÇK-ja merr përgjegjësinë për incidentin e 29 prillit
Anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare morën përsipër përgjegjësinë për incidentin me armë që ndodhi javën e kaluar në afërsi të brezit kufitar mes Maqedonisë dhe Kosovës. Përmes një komunikate të dërguar mjeteve të informimit, UÇK-ja njofton se vazhdon aktivitetin e saj në territorin e Maqedonisë. Duke reaguar pas kësaj komunikate, Bashkimi Demokratik për Integrim thekson se personat e përfshirë në incident nuk kanë asnjë lidhje me të dhe se perspektiva euroatlantike e Maqedonisë nuk duhet rrezikuar në asnjë moment.
Afganistan
Sulm vetëvrasës ndaj bazës së NATO-s
Një sulm vetëvrasës ka ndodhur në afërsi të bazës ushtarake të NATO-s, në qytetin afgan të Kostit. Si pasojë e makinës bombë, ku gjendej dhe sulmuesi, humbi jetën një civil dhe dy roje të bazës u plagosën. Sulmi ndodhi ndaj bazës, që në dhjetorin e kaluar ishte skenë e një sulmi vetëvrasës, ku mbetën të vrarë shtatë punonjës të CIA-s. Incidenti në Kosti ishte i fundit në radhën e sulmeve gjatë 24 orëve. Nga shpërthimi i një bombe, tetë civilë humbën jetën në provincën e Paktias. Në një tjetër incident tetë ushtarë norvegjezë u plagosën.
Meksikë
Derdhja e naftës, “BP” premton të pastrojë detin
Pak orë pas deklaratës së presidentit Obama, i cili tha se kompania britanike “British Petroleum” do përgjigjet për ndotjen në Gjirin e Mekikës, ka reaguar shoqëria ishullore. Sipas BP, të gjithë koston e pastrimit të detit do ta paguajë shoqëria. “Ne marrim përgjegjësitë për të pastruar detin e ndotur”, theksohet në komunikatë. Kompania shton gjithashtu se do dëmshpërblejë të gjithë të prekurit nga kjo katastrofë ekologjike.
4 Maj 2010