E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lacio i rremben Strakoshen Romes

Thoma Strakosha, djali i ish-kapitenit legjendar të Kombëtares shqiptare, Foto Strakosha është lojtar i ri i Lacios. 17-vjeçari që po ndjek gjurmët e babait, duke shkëlqyer në portë, ka qenë në qendër të një intrige ndërkombëtare të merkatos, që ka zgjatur disa muaj.

Në fakt, në fundin e vitit 2011, mediat italiane lajmëruan transferimin e Thoma Strakoshës te Roma, klub me të cilin ka zhvilluar disa ditë stërvitje në Trigoria. Megjithatë, në fund ishte Lacio dhe drejtori sportiv Igli Tare që fituan garën.

Ish-sulmuesi i kombëtares, kishte pothuajse një vit që e ndiqte Strakosh Jr. që militon te Panioniosi në Greqi, në tentativën për të afruar sa më shumë talentë me perspektivë në klub. Në fund, me këmbënguljen e tij, Tare doli fitues, ndërsa “gardiani” 17-vjeçar do të mbrojë ngjyrat bardhkaltër prej sezonit të ardhshëm.

Fillimisht Thoma Strakosha do të aktivizohet si portier te skuadra e të rinjve të Lacios, për të pretenduar më pas një vend në skuadrën e parë. Për t’u theksuar është fakti se Tare po këmbëngul të ndërtojë një “koloni” shqiptare te klubi i Serisë A italiane, ku aktualisht militon mesfushori Lorik Cana.

Kjo për faktin pasi një tjetër objektiv në merkato i Lacios është edhe shqiptari me pasaportë zvicerane, Granit Xhaka. 20-vjeçari i pëlqen shumë klubeve të mëdha, mes të cilave edhe Juventus e Roma, ndërsa kartoni i tij kushton plot 6 milionë euro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›