E Diel, 1 Nëntor 2026

Stramaconi ka nisur punen per rinovimin e skuadres

Besohet se do të ketë një rinovim, ndërsa projekti duket afatgjatë. Andrea Stramaçoni, trajneri i ri i Interit, ka treguar qartë se synon ndryshime, ndërsa nga klubi milanez jepen sinjale sigurie. Ky 36-vjeçar që doli kampion i Europës me skuadrën e të rinjve zikaltër, ka sjellë 6 lojtarë pikërisht të të rinjve në skuadrën e parë.
Portieri Sala, mesfushori Dankën dhe sulmuesi Longo, trokitën në “La Pinetina” vetëm një ditë pasi aty ishte paraqitur M’Baje, por synohen edhe Livaja e Romano.
Gjithsesi, përgatitjet kryesore janë për ndeshjen e kësaj jave në Serinë A, atë ndaj Xhenoas, ku besohet se Guarin do të jetë titullar, por nuk besohet që të grumbullohet Uesli Snajder, ende me probleme nga dëmtimi i fundit.
Ndërkaq, njëri nga drejtuesit e lartë të Interit, Paolilo, ka deklaruar prerë se Stramaçoni nuk është një trajner sa për të kaluar radhën, pra për të mbyllur sezonin, veçse është një zgjedhje e menduar mirë dhe serioze.
Por, nga ana tjetër, mediat italiane nuk i harrojnë fjalët e thëna nga pronari zikaltër, Masimo Morati, për Marselo Bielsën, trajnerin e Atletik të Bilbaos, që do të luajë në Gelsenkirshen të Gjermanisë, ndaj Shalkes vendase në çerekfinale të Ligës së Europës. Besohet se vëzhgues të Interit do të jenë në “Arena Auf Shalke” për të ndjekur atë që mund të bëhet shpresa e re e Moratit për t’u kthyer tek trofetë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›