E Shtunë, 31 Tetor 2026

Torres dhe Xherrard duan titullin

Sulmuesi spanjoll i Liverpulit: Do të mbajmë kreun deri në janar, pastaj gjithçka mund të ndodhë

Liverpuli ka kryer nisjen më të mbarë të sezonit në 11 vitet e fundit dhe Fernando Torres sapo ka dhënë shenja të ardhjes në formë. Kapiteni Stiven Xherrard është i mendimit se spanjolli sapo ka ardhur në formën e tij më të mirë, pas ndeshjes derbi kundër Evertonit në "Gudison Park". Fitorja 2-0 ndaj Evertonit me probleme do të thotë se Liverpuli mbetet pa humbje në këtë sezon, ku "fqinjtë" e tyre po përpiqen të bëjnë çdo gjë vetëm për të rigjetur formën e sezonit të kaluar. Torres ka kaluar javët e para të kësaj fushate duke lënë pas lodhjen fizike të marrë në Kampionatin Europian, ku ai u shpall kampion me Spanjën. Deri tani ai nuk kishte shfaqur asgjë nga forma prej të cilës shënoi 33 gola sezonit e kaluar dhe madje edhe në ndeshjen ndaj Evertonit, ai nuk ka qenë asnjëherë pranë asaj forme që kishte sezonin e shkuar. Por tani sulmuesi mendon se ai është gati të rikthehet në atë formë të mëparshme, pasi Liverpuli tani duket se është rikthyer përsëri në luftën për titullin kampion. Torres tha: "Ky ka qenë një fillim i vështirë sezoni për mua, pas një vere tepër impenjative. Por tani jam rikthyer në formë me këta dy gola, shpresoj që të vazhdoj një gjendje si ajo e sezonit të kaluar dhe ndoshta të shënoj më shumë gola se shënova atëherë. E dimë që, në rast se do t'i qëndrojmë pranë kreut të renditjes në muajin janar, atëherë do të arrijmë të kalojmë problemet dhe do të fitojmë titullin kampion. Duhet të qëndrojmë mes tre-katër të parave dhe nëse vazhdojmë të fitojmë në Ligën e Kampioneve, mund të kalojmë një sezon fantastik. Kam kohë që punoj shumë në stërvitje dhe golat do të vijnë shumë shpejt." Liverpuli nuk e fiton këtë titull që prej 18 vitesh dhe kjo ngjitje në tabelë bën që shpresat dhe pritshmëritë e tifozëve të rriten. Xherrard po bën më të mirën e tij për të ulur këto pritshmëri dhe për t'ia lënë skuadrës detyrën për të realizuar këtë ëndërr të gjatë. "Ditën e mërkurë kemi një ndeshje tepër të rëndësishme në Europë dhe më pas një tjetër takim të rëndësishëm me Mançester Sitin, ditën e diel. E rëndësishme është që askush të mos rrëmbehet. Kemi një rrugë tepër të gjatë për të bërë dhe e kuptojmë se sa e vështirë do të jetë të jemi pretendentë deri në fund të këtij sezoni, kështu që duhet të tregohemi konstantë dhe të vazhdojmë në këtë rrugë, por kemi vendosur një standard dhe duhet ta respektojmë". Xherrard kërkon ta shohë Liverpulin të performojë rregullisht në nivelin e lojës që tregoi në derbin kundër Evertonit. Ai tha: "Fitorja ndoshta ka qenë rezultati ynë më i mirë deri në këto momente që flasim për këtë sezon. Fitonim ndeshje, por herë pas here kishim pësuar rënie, por kjo ka vendosur standardin tani dhe nëse vazhdojmë në këto nivele, atëherë ne me siguri që do të jemi në këto ujëra deri në fund të sezonit. Ne e kontrolluam ndeshjen gjatë gjithë kohës. Ishte një shpallje e objektivave tona".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›