E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lagendijk: EULEX në veri dhe pa vullnetin e serbëve

Bruksel (start)- Raportuesi i posaçëm për Kosovën në Parlamentit Evropian, deputeti Joost Lagendijk, thotë se nëse EULEX-i për çfarëdo arsye nuk shtrihet në gjithë territorin e Kosovës mund të përballet me probleme në Parlamentin Evropian, në veçanti kur të votohet për buxhetin e misionit.
Në një intervistë për BBC-në ai theksoi se rreziku më i madh do të ishte shtrirja e EULEX-it vetëm në pjesën jugore të lumit Ibër dhe do të shënonte një gabim të madh për BE-në dhe Evropën ndarja e Kosovës.

Lagendijk i bëri thirrje misionit evropian për drejtësi dhe polici t'i përmbahet përkushtimit të dhënë për shtrirjen e tij në gjithë territorin e Kosovës. Ai tha se kjo shtrirje mund të bëhet edhe kundër vullnetit të serbëve dhe Beogradit zyrtar, sepse, sipas tij, është jetike për përfshirjen e BE-së në Kosovë.

Raportuesi i posaçëm për Kosovën pritet që brenda pak javësh ta paraqesë një projekt rezolutë për Kosovën në Parlamentin Evropian, në të cilën do të përfshihet edhe çështja e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit nga autoritetet kosovare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›