Lajçak: Dokumentet e reja, përmbushin standardet- faktor i fortë që BE të marrë vendimin për heqjen e vizave

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha viziton, Qendrën e Personalizimit të Kartave të Identitetit dhe Pasaportave Biometrike. Pas inspektimit, Lajçak u shpreh i impresionuar dhe premtoi se atë që pa aty do t’ua përcjellë partnerëve dhe kolegëve të vendeve anëtare të BE.Ministri i Jashtëm i Sllovakisë Miroslav Lajçak, pas vizitës që zhvilloi në Qendrën e Personalizimit të Kartave të Identitetit dhe Pasaportave Biometrike, i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, e cilësoi procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike një argument shumë të fortë në marrjen e vendimit të BE për liberalizimin e vizave. “Duke gjykuar nga ajo që pashë në këtë qendër mund të them se procesi është konform standarteve më të larta ndërkombëtare dhe është përfundimisht një argument pozitiv shumë i fortë për marrjen e vendimit të BE për udhëtimin e lirë pa viza për qytetarët shqiptarë. Atë që kam parë këtu do të kem kënaqësinë t’a paraqes tek partnerët dhe kolegët e mi të vendeve antëtare të BE” - deklaroi ministri i Jashtëm i Sllovakisë Miroslav Lajçak. Nga ana e tij, ministri i Brendshëm Lulzim Basha u shpreh se procesi i aplikimit nga qytetarët shqiptarë për pasaporta biometrike është plotësisht në udhë të mbarë. “Sot ne kemi arritur qartësisht dhe bindshëm ritmet më të larta në gjithë kontinentin europian përsa i përket aplikimeve për frymë për pasaporta biometrike”, tha Basha. Interesimit të medias mbi tejkalimin e afatit dyjavor të pajisjes me pasaportë biometrike gjatë periudhës së fundvitit 2009 dhe fillimvitit 2010, ministri Basha iu përgjigj se kjo është rrjedhojë e një fluksi të jashtëzakonshëm aplikimesh brenda një kohe të shkurtër, kur ka patur ditë që kanë shënuar edhe 11 400 aplikime për pasaporta biometrike. “Megjithatë ne kemi marë të gjitha masat në bashkëpunim me konçesionarin “Aleat” për të përshpejtuar dhe për të rritur kapacitetet prodhuese në mënyrë që koha e pritjes edhe për këtë periudhë të pikut të aplikimeve të jetë sa më e shkurtër”, u shpreh ministri Basha. Që nga fillimi i procesit e deri më tani kanë aplikuar për pasaportë biometrike afro 450 mijë qytetarë shqiptarë....