E Diel, 1 Nëntor 2026

Lajçak: Integrimit i Shqipërisë varet nga politikanët

UASHINGTION - Drejtori i menaxhimit për Evropën dhe Azinë Qëndrore në zyrën për marrëdhëniet me jashtë të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, nga Uashingtioni ku ishte i ftuar në një diskutim mbi prespektivën Europiane të vendeve të Ballkanit deklaroi se pa dialog mes palëve Shqipëria nuk do të ketë zgjidhje të problemeve.

“Ne ofrojmë ndihmën tonë por duam të shohim përpjekje. Pa dialog politik ne do të vazhdojmë të shohim probleme si ato që kemi ndeshur pas zgjedhjeve të fundit të përgjithshme dhe pas zgjedhjeve të fundit lokale. Kur të nisë dialogu politik do të ketë progres dhe kjo sigurisht do të vlerësohet nga Bashkimi Evropian”,- deklaroi Lajcak.

Zyrtari i Lartë i BE nenvizoi se Shqipëria ka humbur shumë kohë dhe duhet t’i zgjidhë me shpejtësi mosmarrëveshjet për të rikuperuar kohën e humbur.

"Në se udhëheqësit politikë dhe partiakë nuk arrijnë të bien dakort mes tyre, ajo që bëjmë ne në Evropë është të kërkojmë opinionin e institucioneve evropiane, OSBE-ODIHR-it, Komisionit të Venecias, Këshillit të Evropës ku Shqipëria është vend anëtar, për të marrë një platformë që do të jetë pikë-nisje për të gjithë shoqërinë. Shqipëria ka humbur shumë kohë dhe kjo është periudha e duhur për të rikuperuar këtë humbje, në mënyrë që raporti i komisionit për këtë vit të jetë pozitiv",- theksoi Lajcak.

Megjithëse konstaton se e ardhmja evropiane e Shqipërisë është e padiskutueshme, zyrtari i lartë i BE-së thotë se shpejtësia dhe suksesi i këtij procesi është tërësisht në duart e politikanëve shqiptarë dhe të popullit shqiptar.
(e.m/VOA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›