E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajiq: Beogradi po bën gjithçka për të arrestuar Ratko Mlladiç

Beogradi zyrtar po bën gjithçka për të arrestuar Ratko Mlladiçin, një nga të akuzuarit kryesor të drejtësisë ndërkombëtare. Kështu ka deklaruar Rasim Lajiq, kreu i Këshillit Kombëtar të Serbisë për bashkëpunim me Gjykatën e Hagës, ndërsa shtoi se autoritetet do ta arrestojnë atë deri në fund të vitit. Deklarata e Lajic-it u bë një ditë para vizitës së kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë Serzh Bramerz në Beograd.
Ndërkaq, edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka deklaruar se arrestimi i Ratko Mlladiç, i shumëkërkuari nga Gjykata e Hagës, është detyrim i madh i shtetit serb dhe i demokracisë së tij. Ratko Mlladiç, së bashku me Radovan Karaxhiçin, ish liderin e serbëve të Bosnjes, akuzohen për genocide, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve 1992-1995 që shkaktoi mbi 100 mijë viktima. Mlladiç dyshohet se ka marrë pjesë në masakrën e Srebrenicës ku u vranë rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë. Karaxhiç u paraqit në seancën gjyqësore në Hagë, të martën, pasi kishte bojkotuar fillimin e gjyqit dy herë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›