E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi kërkon mbështetjen e Withers-it dhe Montobios për krizën



Eljona Ballhysa
Ndërsa greva ka shënuar dje ditën e 11-të, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka thërritur dje në Presidencë dy ambasadorët më të rëndësishëm në vend, atë të SHBA-ve, John Withers dhe ambasadorin e Spanjës, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së BE-së, Manuel Montobio. Ndërsa dy partitë politike vendosin kushte dhe përcjellin oferta vetëm nëpërmjet mediave, kreu i shtetit po bën përpjekje që duke marrë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar në Tiranë, të ushtrojë presion te të dyja kampet e politikës për të arritur një marrëveshje konsensuale. Pas një orë bisedimesh mes Topit, Withers-it dhe Montobios, zyra e shtypit pranë Presidencës njofton se ata kërkojnë normalizimin sa më parë të situatës politike në vend. Midis të tjerave, ambasadorët kanë diskutuar me kreun e shtetit edhe për gjetjen e emrave të gjyqtarëve që do të zëvendësojnë vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe në atë të Lartë. Ambasadorët kanë kërkuar që për këto vende të gjenden figura që nuk kanë asnjë lidhje me politikën dhe që shquhen për profesionalizëm.
Takimi
Takimi në Presidencë është zhvilluar dje rreth orës 10:00 dhe ka zgjatur rreth një orë. Pas takimit, zyra e shtypit pranë Presidencës ka njoftuar se gjatë takimit, presidenti Topi dhe dy ambasadorët, Withers dhe Montobio, kanë biseduar rreth situatës më të fundit politike në vend, përpjekjeve, mundësive e rrugëve kushtetuese dhe institucionale për të zgjidhur në një kohë sa më të shpejtë dhe normalizuar situatën politike në vend. Palët gjithashtu diskutuan edhe për nevojën e vazhdimit të reformës në Gjyqësor duke nënvizuar rëndësinë e një sistemi gjyqësor plotësisht të paanshëm e profesional.
Qëndrimi
Një ditë më parë, kreu i shtetit, me një gjuhë me tone më të ngritura se zakonisht, u bëri thirrje të dy partive politike që të shprehin vullnetin politik për të gjetur zgjidhjen e situatës. Ai tha se tryeza e negociatave, e kryesuar nga Presidenti, mblidhet menjëherë, por, sipas Topit, kjo tryezë duhet të sjellë zhvillime pozitive dhe për këtë nevojitet edhe dëshira partive politike për të arritur një marrëveshje konsensusi.
“Problemi i formalizimit të tryezës është një problem sekondar. Më e rëndësishmja është që të kenë vullnetin politik për të dalë nga kjo situatë, që është e pakëndshme. Është në koshiencën edhe të qytetarëve, të cilët janë larg politikës, që kjo situatë duhet të mbyllet në mënyrën më korrekte të mundshme. Se si e mbyllin, - janë partitë politike. Presidenti ka vullnetin, ka predispozicionin, ka dëshirën që të vendoset dialogu, të rifillojë komunikimi institucional”, - është shprehur Topi, ndërsa ka theksuar se kompetencat e tij nuk shkojnë larg thirrjes dhe apelit për dialog. “Presidenti nuk ka në dorë asnjë instrument ligjor që t’i detyrojë palët. Kjo ka qenë arsyeja që në mënyrë të vazhdueshme unë kam thënë se gjithçka varet nga vullneti politik i partive. Shqipëria nuk është një republikë presidenciale. Ju duhet ta dini! Shqipëria është një republikë parlamentare. Çdo gjë projektohet sipas vullnetit të popullit, projektohet në Parlament. Është vullneti i tyre për të instaluar dialogun, për të marrë vendime të rëndësishme dhe mos harroni që në harkun kohor dhe jo në retrospektivë të largët, partitë politike shqiptare, mund t’i referohem datës 21 prill 2008, kanë gjetur një konsensus që unë e kam përgëzuar, me votat e 115 deputetëve, kur kanë ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë. Atëherë, kanë detyrimin të rikthehen, të marrin të gjitha vendimet. Unë do të respektoj, si President i Republikës, të gjitha vendimet që janë në favor të Shqipërisë, të shqiptarëve, të institucioneve, të imazhit të Shqipërisë, të interesit të çdo qytetari”, - është shprehur kreu i shtetit. Presidenti Topi, ka shprehur gatishmërinë për të mbledhur në çdo kohë tryezën e presidentit, me kusht që ajo të sjellë rezultate pozitive. “Tryeza e presidentit mund të riinstalohet në çdo kohë, por tryezë që të jetë me rezultate, jo tryeza për tryezë që të fillojë t’i bjerë dhe vlera. Pra, duhet të kemi respekt jo thjesht për individin, individi është pjesëtar i shoqërisë. Sot është president, nesër është një qytetar i thjeshtë i Shqipërisë, por duhet të kenë respekt për tryezën e presidentit, për institucionin e Presidentit, për çdo institucion të Shqipërisë, në mënyrë që edhe bota të na ketë më në konsideratë”, - është shprehur Topi.

12 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›