Lajme të mira për Bosnjën

UEFA ka konfirmuar se është takuar me FIFA-n dhe komitetin për normalizim nga NFSBiH (Federata e futbollit të Bosnjës e Hercegovinës) në qendrën e FIFA-s në Zurich, me qëllim të heqin pezullimin e vendosur ndaj asociacionit boshnjak.
FIFA dhe UEFA konfirmuan më 1 prill se Bosnja e Hercegovina është suspenduar nga të gjitha garat ndërkombëtare, në afat të pacaktuar. Ky ishte lajm i mirë për Shqipërinë që së bashku me Bosnjën gjendet në grupin D të kualifikimeve për Euro 2012 dhe shtonte gjasat e sigurimit të pjesëmarrjes së garës në Ukrainë dhe Poloni, meqë ekipi i Josip Kuzes aktualisht gjendet i treti me 8 pikë, aq sa ka edhe Bjellorusia, e dyta. Bosnja është e katërta me 7 pikë.
Arsyet e suspendimit ishin se anëtarët e Federatës votuan kundër një propozimi për përmbushjen e rregullave të FIFA-s dhe UEFA-s që detyronin NFSBiH-në të ndërrojë formatin e presidencës treanëtarëshe (një boshnjak, një serb dhe një kroat) në sistem prej vetëm një presidenti të vetëm.
Më 12 prill, Komiteti emergjent i FIFA-s emëroi një komitet për normalizim, në mënyrë që të sigurojë avancim brenda Federatës së Bosnjës. Pas takimit në Zurich, UEFA konfirmoi se NFSBiH ka kohë deri më 26 maj të pranojë statutin e ri dhe janë optimistë se mund të arrihet një marrëveshje.
Në komunikatën e publikuar nga UEFA, thuhej:
“Komiteti për normalizim në Federatën e Futbollit të Bosnjës e Hercegovinës u takua me përfaqësuesit e FIFA-s dhe UEFA-s në shtëpinë e FIFA-s, në Zurich. Ky takim pune ishte caktuar në mënyrë që të diskutohet rreth procesit në lidhje me ndryshimin e statuseve të NSFBiH-së dhe punës së Komitetit për normalizim në këtë drejtim. Anëtarët e Komitetit për normalizim të udhëhequr nga kryetari Ivica Osim, u pritën nga presidenti i FIFA-s, Joseph S.
Blatter dhe presidenti i UEFA-s, Michel Platini, të cilët uruan Komitetin për punën dhe përpjekjet e tij. FIFA dhe UEFA janë optimistë se statutet e reja do të aprovohen dhe do të krijohen deri më 26 maj”. Bosnja, ndeshjen e ardhshme kualifikuese për Euro 2012 e ka të caktuar në udhëtim te Rumania, më 3 qershor.