E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i Kuvendit, 14 deputetë heshtën për situatën alarmante

Pas hartimit të raportit askush nuk u interesua. Për rrezikun kishin dijeni të gjitha forcat politike
Habjon Hasani
Të paktën katërmbëdhjetë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë kanë pasur dijeni dhe të dhëna të detajuara lidhur me rrezikun dhe problematikën e vendndodhjes së municioneve dhe demolimit të tyre. Katërmbëdhjetë deputetët, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, kanë pasur jo vetëm dijeni, por kanë lënë dhe detyra konkrete për t’u realizuar. Por duket se pas 16 nëntorit të vitit të kaluar (ditë kur u përfundua raporti), askush nuk e ka vënë më “ujin në zjarr” për të ndjekur zhvillimin e situatës apo për të inspektuar pikat e demolimit të krijuara fill pas përfundimit të këtij raporti. Është shumë i çuditshëm fakti se ndërsa ministri Mediu ka deklaruar në komision, në nëntor 2007, se ishte problem demolimi dhe aftësia e shtetit për ta kryer vetë këtë proces, një muaj më vonë, në fshatin Gërdec u krijua një manifakturë çmontimi totalisht nën juridiksionin dhe kontrollin e një firme shqiptare dhe tërësisht jashtë kontrollit të shtetit shqiptar. Megjithatë, për pesë muaj me radhë asnjë prej 14 deputetëve që kishin të dhëna të detajuara për këtë problem nuk denjoi të kërkonte të dhëna të tjera lidhur me ecurinë e demolimit.
Komisioni
Dy ditë më parë “Albania” faktoi se qeveria shqiptare nuk ka qenë asnjëherë e interesuar që sasia marramendëse e municioneve që gjendet në Shqipëri të demolohej nga firma amerikane apo kanadeze. Një raport i klasifikuar i Kuvendit të Shqipërisë ka hedhur dritë lidhur me dijeninë nga ana e qeverisë dhe Parlamentit për “fuçitë e barutit” që gjenden anekënd Shqipërisë. Ky raport u konkludua nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare, ndërsa filloi punimet kryesisht pas shpërthimeve në Dhemblan të Tepelenës. Sakaq, më 16 nëntor të vitit të kaluar, komisioni doli me përfundimet e tij, ndërsa dhe fjala e mbajtur nga ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu në mbledhjen e mbyllur, ka dhënë shumë detaje lidhur me gjendjen thuajse katastrofike të municioneve në vend. Ajo që është më e rëndësishme në fjalën e ministrit lidhet me qëndrimin e tij për pajtimin e firmave amerikane apo kanadeze për demolimin e këtij municioni. Mediu ka pranuar haptazi “dilemat” e qeverisë lidhur me mënyrën e menaxhimit të këtyre municioneve. Ai ka shtuar më tej se ndërsa ka oferta nga partnerët amerikanë apo kanadezë për demolimin e tyre, në të njëjtën kohë ekzistojnë shanset për të dalë me fitim nëse ato menaxhohen nga firmat shqiptare, të cilat ishin të interesuara për eksportimin e tyre.
Mediu
“Kohët e fundit janë afruar firma, të cilat janë afruar për demolimin, pasi u intereson materiali i ngelur. Ne nisemi me mendimin se po ta bënim vetë çdo të fitonim..., por ne nuk i kemi këto mundësi..., ne do të na bënin nder të madh nëse dikush thjesht të na e merrte gjithë municionin nga territori ynë. Nëse ne u kërkojmë investime amerikanëve apo kanadezëve për financime për demolim në një kohë kur kemi privatë (nënkupton firma vendase) që ofrohen të na i eksportojnë këto municione”. Kështu ka deklaruar ish-ministri i Mbrojtjes katër muaj më parë. Sikurse është e qartë, ministri i dorëhequr vetëm një ditë më parë ka deklaruar se ai vetë, por edhe qeveria, kanë qenë në një “dilemë” të madhe për mënyrën se si do të “hiqeshin qafe” këto municione. Nga deklarata e ministrit del qartë se ndryshe nga sa pretendoi dhe kryeministri (dy ditë më parë), nuk bëhej fjalë për “metodat” profesionale apo variantet e mundshme të demolimit, por bëhej fjalë për dy nocione, të cilat i ndan vetëm një element: FITIMI. Pra është e qartë se kur demolimi bëhet nga amerikanët, të gjitha tonelatat shpërthehen dhe shfarosen. Ndërsa në rastin e firmave shqiptare ato çmontohen e më pas eksportohen. Nuk është e vështirë të dallosh se në rastin e firmave shqiptare eksporti i municioneve sjell në këmbim të ardhura me nëntë zero.
Deputetët e Komisionit të Sigurisë
Leonard Demi
Pirro Lutaj
Baki Shehi
Jak Ndokaj
Gëzim Musabelliu
Sabit Brokaj
Fatos Hoxha
Petro Koçi
Mevlan Xhindoli
Gjivalin Prenga
Ndriçim Babasi
Artur Hasanbelliu
Ben Blushi
Stefan Çipa

BOX
Pesë pikat kryesore të raportit të Kuvendit
1) Komisioni doli në konkluzionin se municionet janë shumë afër vendbanimeve, rrugëve automobilistike dhe linjave të tensionit të lartë.
2) Municionet që ruhen në këto depo i përkasin kryesisht moshës 35-40-vjeçare, shumica janë prodhim rus, një pjesë e të cilave prodhuar fill pas Luftës së Dytë Botërore.
3) Mediu ka pranuar në mbledhje se ka presion nga firmat shqiptare për t’i çmontuar dhe për t’i eksportuar këto armë. Ai është shprehur: “Ne i kërkojmë investime amerikanëve apo kanadezëve për financime për demolim në një kohë kur kemi firma private që na ofrohen në mënyra të leverdishme për t’i çmontuar dhe shitur këto municione”.

4) Ministri Mediu ka kërkuar nga Komisioni i Sigurisë që të shtohet presioni mbi qeverinë për rikthimin në punë të shumë specialistëve të kualifikuar para vitit 1992 dhe pas vitit 1997 nga NATO, të cilët ishin trajnuar në demolimin e municioneve të rënda.

5) Mediu kërkon nga Kuvendi të bëjë presion mbi qeverinë që kjo e fundit të marrë iniciativën e një ligji që i jep Ministrisë së Mbrojtjes gjithë mundësitë për menaxhimin e qindra mijëra tonelata municionesh.

Mediu në Komision: “Municionet ua lëmë firmave private”

“Duhet ndoshta të arrijmë në një mirëkuptim, duke parashikuar fonde në buxhet për asgjësimin e municioneve, si dhe të shohim mundësi të tjera. Për shembull, kohët e fundit janë afruar firma, të cilat janë ofruar për demolimin, pasi i intereson materiali i ngelur. Ne nisemi me mendimin se po ta bënin vetë, çdo të fitonim... Por ne nuk i kemi këto mundësi... Do të na bënte nder të madh nëse dikush thjesht të na e merrte gjithë municionin nga territori ynë. Nëse ne i kërkojmë investime amerikanëve apo kanadezëve për financime për demolim në një kohë kur kemi privatë që ofrohen të na... (eksportim). Përsa i përket personelit, sipas kritereve të NATO-s, shpërndarja nuk është më ajo e mëparshme dhe nuk përputhet kjo shpërndarje me atë të depove dhe ne e kemi të pamundur administrimin real të tyre. Trajtimi i veçantë i këtyre punonjësve. Fokusi i Ministrisë, që një pjesë e fondeve që i janë besuar Ministrisë të mos shkojë në funksion të strukturave të reja të FA-së, por në funksion të çështjeve të së shkuarës, duhet kuptuar. Duhet kërkuar që kjo lëvizje të kuptohet nga qeveria, pasi ka të bëjë me rrezikun për jetën. Krijimi i piramidës së gradave na bën që të nxjerrim në rezervë oficerë të specializuar, si do ta zgjidhim. Unë mendoj të parashikojmë një amendament brenda ligjit që për këto grupime specialistësh, batalioni special që shkojë në Irak, po ashtu edhe pilotët të trajtohen në mënyrë të veçantë. Kam kërkuar këtë gjë, por nuk më është kuptuar nga qeveria apo politika. Pilotët e Ministrisë së Mbrojtjes, që kryejnë misione të kërkim-shpëtimit, paguhen shumë herë më pak se pilotët e Ministrisë së Shëndetësisë apo të Rendit, dhe këtu duhet të sensibilizojmë, pasi është gjynah që këta djem të largohen nga Forcat e Armatosura”.

19 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›