E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajthitje gushti

Edmond Arizaj 

Një lajthitje gushti e kryeministrit Berisha. Vetëm kështu mund ta cilësosh idenë e re të hedhur në tregun politik nga shefi i ekzekutivit, për t’i detyruar zgjedhësit shqiptarë me anë të sanksioneve ligjore, të shkojnë në votime. Ky propozim i Berishës, në të cilin ai kërkon të përfshijë edhe opozitën duket se i përafrohet më shumë kohës së diktaturës, kur doje s’doje duhet të votoje, pavarësisht se nuk të detyronte njeri, se sa një vendi që aspiron NATO-n dhe BE-në. Megjithëse mund të mendohet se Berisha është shprehur vetëm në kuadrin e provokimit, se sa në një ide, e cila mund të konkretizohet shumë shpejt, edhe vetë propozimi duke dalë nga goja e kryeministrit, të lë të habitur, sepse vetë realizimi i kësaj nisme është i vështirë, në mos i pamundur. E para që goditet në një rast të tillë është liria e individit, aq e reklamuar nga qeveria e Berishës. Por kjo liri “asgjësohet” në rast se do të ekzistojë një ligj, i cili të gjobit apo merr ndonjë masë tjetër shtrënguese, nëse qytetari nuk dëshiron të votojë, apo nuk mundet të votojë. Nëse nuk dëshiron, kjo është zgjedhja e tij, të cilën Berisha dhe gjithkush tjetër duhet ta respektojë. Sepse me këtë zgjedhje, qytetari shpreh edhe mendimin e tij. Ai ose ajo nuk ka besim tek kjo politikë, e cila është larguar nga qytetari. Pra, rritja nga viti në vit e abstenuesve, që ka shqetësuar kryeministrin, nuk ka të bëjë me indiferencën, në shumicën e rasteve; ajo është thjesht reagimi i vetëm qytetar, (në pamundësi për ndonjë reagim tjetër) ndaj një politike që nuk punon për qytetarët, ndaj një politike që u është larguar qytetarëve, një politikë e cila qëndron mbi qytetarët. Nuk janë këta që po i largohen politikës, është ajo që distancohet përditë prej tyre, duke u përpjekur të afrohet vetëm një herë në katër vjet.
E dyta që të shkon në mendje pas idesë së Berishës, është koha e diktaturës, kur votohej 99.99 për qind. Nëse rastiste që në ditën e votimit dikush të ishte i sëmurë dhe nuk kishte mundësi të paraqitej në kutitë e votimit, vinin shokët e frontit demokratik të lagjes në shtëpi me gjithë kuti, i vinin në dorë të sëmurit fletën e votimit, dhe ia drejtonin krahun për nga kutia. Votimi kryhej me sukses dhe i pa instruktuar. Si do të bëhej në një rast të tillë, me ligjin “Berisha”? Për më tepër, që shumë e shumë shqiptarë, vetëm pse një ligj i tillë do t’u kujtonte atë sistem, do të ishin të gatshëm të duronin sanksionet dhe të mos shkonin në votime.
Si do të numërohen abstenuesit pas ligjit Berisha? Kur ende qeveria nuk ka realizuar, e as duket se do të realizojë numërimin dhe “sistemimin” e popullsisë, ideja e kryeministrit duket akoma më absurde. Siç është “zakon” në zgjedhjet shqiptare, rrezikojnë që në votimet e ardhshme, të jenë në lista edhe shumë të vdekur dhe emigrantë. Do të gjobiten ata?!
Shqipëria dhe kjo qeveri e saj, kërkojnë që shumë iniciativa që u shkojnë në mendje t’i bëjnë me detyrim për qytetarët e tyre. U kërkojnë atyre të privohen nga kënaqësitë për shkak të luftës ndaj trafiqeve, u kërkojnë të blejnë pasaportat e reja, sepse janë biometrike, e tani u kërkojnë edhe të votojnë me pahir, sepse ndryshe ka sanksione. Do të ishte më mirë që zoti kryeministër të mendohej njëherë pse shqiptarët sa vijnë e u largohen kutive. Në radhë të parë Berisha duhej të bënte radiografinë e qeverisjes së tij, se sa ka arritur ai p.sh. t’i rikthejë emigrantët në vendin e tyre, jo me pushime, por për të jetuar e punuar këtu, se sa i ka lumturuar shqiptarët me politikat e tij, duke i “detyruar” të mos mendojnë më për emigrim, se çfarë ka bërë ai dhe qeveria e tij që shqiptarët ta shohin politikën si zgjedhëse të halleve dhe problemeve, dhe jo që një pjesë ta shohin si mjet për të përfituar, ndërsa shumica t’i shmangen me formulën “njësoj janë të gjithë”.
Përpara se Berisha të ndërmarrë iniciativa shtrënguese për shqiptarët, do të ishte më mirë të ndalonte turravrapin e tij fitues, dhe të bënte një inventar, sa ka marrë nga ky popull dhe sa i ka dhënë atij. Rezultati do të ishte i tillë, që Berishës do t’i vinte turp vetëm pse i ka shqiptuar ato fjalët e sanksioneve. 
Iniciativa të tilla i kanë marrë edhe vende të tjera perëndimore. Por sipas të gjitha informacioneve, nuk rezulton se ka masa detyruese apo sanksionuese për ata që nuk votojnë. Thjesht ata që votojnë kanë lehtësira, në shumë aspekte të jetës. Por me ç’duket Berisha si përherë kërkon të jetë dhjetë hapa përpara të tjerëve, dhe 20 vjet pas historisë së Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›